Termi “regjim ushqimor i ulët në natrium ” nënkupton që në përditshëmri marrja e sasisë së kripës jo vetëm që nuk duhet t’i kalojë limitet por duhet të jetë edhe më e ulët.
Ndjekja e një regjimi ushqimor me pak natrium është diçka që shumë njerëz përpiqen të bëjnë për të përmirësuar shëndetin e tyre. E kjo sidomos nëse vuajnë nga sëmundje të cilat përkeqsohen nga konsumi i tepërt i kripës, të tilla si presioni i lartë i gjakut apo sëmundjet e veshkave.
Nëse po përpiqeni të ulni sasinë e natriumit që merrni në përditshmëri, AgroWeb.org ju vjen në ndihmë me këshillat e duhura.
Cila është sasia e rekomanduar e natriumit?
Ekspertët e shëndetit rekomandojnë që të rriturit të marrin më pak se 2,300 miligramë natrium në ditë. Me një kufi ideal prej 1,500 mg në ditë për shumicën e të rriturve, veçanërisht për ata me presion të lartë të gjakut.
Por duke qenë se sasi të tepërta kripe mund të gjenden në shumë ushqime të paketuara dhe të parapërgatitura, kjo mund të jetë sfiduese. Disa nga ushqimet që janë burime më pak të dukshme të natriumit janë mishi i pulës dhe i gjelit të detit, makaronat, buka dhe erëzat.
Megjithatë, sasia e rekomanduar mund të ndryshojë, në varësi të shëndetit tuaj dhe historikut familjar të sëmundjeve të trashëgueshme.
Cilat janë përfitimet e një regjimi ushqimor me pak natrium
Edhe pse natriumi ose kripa është një përbërës që i jep shije gatimeve, ndjekja e një regjimi ushqimor me pak natrium lidhet me shumë përfitime shëndetësore, duke përfshirë:
- Presion të shëndetshëm të gjakut.
- Zvogëlohet rreziku i shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare.
- Përmirësimi i shëndetit të trurit.
- Funksioni i shëndetshëm i veshkave.
- Mund të përjetoni efekte afatshkurtra, të tilla si: të ndiheni më pak të fryrë ose të keni më pak etje.
Lista e ushqimeve me sasi të ulëta natriumi
Në mënyrë tipike, ushqimet që shijohen të papërpunuara kanë më pak natrium sesa ato që janë më të përpunuara. Mbani mend se disa nga këto ushqime mund të jenë të pasura me minerale që njerëzit me sëmundje kronike të veshkave duhet t’i kufizojnë sepse kanë sasi të larta kaliumi. Prandaj AgroWeb.org këshillon që gjithmonë të konsultoheni me mjekun tuaj.
Frutat dhe perimet
Frutat dhe perimet që shijohen të freskëta janë pa kripë apo natrium të shtuar. Të tilla janë mollët, rrushi, luleshtrydhet, patatet, shpargu, kërpudhat, shalqini, portokallet, spinaqi, karrotat etj. Kur bëhet fjalë për frutat e konservuara, kripa iu shtohet shumë rrallë. E sa i përket perimeve të konservuara, zgjedhja më e mirë është ajo që në etiketë shkruan “pa kripë”.
Drithërat
Shumica e drithërave mund të jenë pjesë e rëndësishme e një regjimi ushqimor me natrium të ulët. Disa zgjedhje të pasura me lëndë ushqyese përfshijnë kinoan, orizin kaf, makaronat me drithëra të plota, tërshërën etj.
Proteinat
Proteina luan shumë role të rëndësishme në trup dhe fatmirësisht shumë burime të proteinave janë natyrishëm pa natrium. Mishrat e tymosur, ato të pjekur dhe të konservuar, zakonisht janë të mbushur me kripë ose me përbërës me natrium. Megjithatë, mishi i freskët i viçit, i pulës, i peshkut janë të pranueshëm kur ndiqni në regjim me pak natrium. Disa burime të tjera proteinash përfshijnë vezët, fasulet, arrorët, kikirikët pa kripë etj.
Qumështi dhe nën produktet e tij
Shumë produkte të qumështit janë të mbushura me magnez, kalium dhe kalcium, lëndë ushqyese që mbështesin presionin e shëndetshëm të gjakut. Por disa, të tilla si djathi, mund të përmbajnë gjithashtu shumë natrium. Fatmirësisht, ushqime si vetë qumështi, kosi, gjalpi pa kripë dhe kefiri, janë disa nga produktet që mund të konsumoni pa frikë.
Yndyrnat e shëndetshme
Disa burime yndyrnash të shëndetshme që janë krejtësisht të pranueshme në një regjim me natrium të ulët përfshijnë vajin e ullirit, avokadon, salmonin, peshkun ton, sardelet, farat e lirit, farat chia, arrorët e pakripur dhe gjalpin e tyre. /AgroWeb.org
Lini një Përgjigje