A Është Kolagjeni Vërtetë Burimi i Rinisë së Përherëshme

2.1k 0

Për shekuj me rradhë, gratë në Kinë e kanë përshkruar kolagjenin si ‘Burimi  i Rinisë Së Përhershme’.

Ato kanë konsumuar produkte nga më të ndryshmet përfshirë lëkurë gomari për të hequr rrudhat dhe ruajtur kyçet.

Kolagjeni mori famë në perëndim në vitet 80’ kur nisi të përdorej për të fryrë buzët dhe zbutur rrudhat.

Me kalimin e viteve, shumë kompani të ndryshme nuhatën fitimet e mëdha që mund të merrnin nga kolagjeni.

Ato nxorrën në shitje kapsula me kolagjen të ngrënshëm dhe bënë miliarda.

Këtë vit, vetëm në Shtetet e Bashkuara, konsumatorët pritet të shpenzojnë plot 122 milionë dolllarë në produkte me kolagjen.

Kjo shifër është 30% më shumë se në vitin 2017.

Kjo rritje në numrin e blerjeve vjen pas konfirmimeve shkencore se kolagjeni përmirëson paraqitjen e lëkurës, zbut simptomat e artritit dhe ushqen muskujt.

Megjithatë, suksesi i kolagjenit mbetet  i diskutueshëm.

Çfarë Është Kolagjeni?

Kolagjeni është një proteinë që ndërlidh indet.

Nëse do ta krahasonim me një subjekt të prekshëm ajo do të ishte skela që vendoset në një ndërtesë që do mirëmbajtje.

Kolagjeni është ngjitësi që e mban trupin e të lidhur, thonë dermatologët e kontaktuar nga AgroWeb.org.

Sipas tyre, kolagjeni gjendet në 75% të peshës së lëkurës.

Me kalimin e moshës, trupi humbet aftësitë rigjeneruese dhe një zgjidhje e përkohshme është injektimi i tij.

Megjithatë, injektimi i kolagjenit e ka humbur efikasitetin sepse nuk zgjat shumë dhe shkakton reagime alergjike.

Edhe nëse e vendosni direkt në lëkurë nuk përthithet mirë prej saj.

Moda më e fundit është ngrënia e kolagjenit.

Një studim i vitit 2014, shqyrtoi përmirësimet e 69 grave të moshave nga 35 deri në 55 vjeç, të cilat konsumonin kolagjen rregullisht.

Studimi zbuloi se gratë që konsumojnë 2.5 deri në 5 gramë kolagjen çdo ditë për tetë javë, kishin një përmirësim të dukshëm në elasticitetin e lëkurës.

Një studim tjetër zbuloi se gratë që konsumonin 1 gramë suplement kolagjeni të marrë nga shpendët çdo ditë për 12 javë, kishin 76% më pak tharje të lëkurës dhe 12% rrudha.

Ato gjithashtu kishin qarkullim më të mirë gjaku në lëkurë.

Megjithatë shumë njerëz janë skeptikë në lidhje me këto studime.

Kjo për shkak se shumë prej tyre sponsorizohen pjesërisht nga industri të ndryshme, sidomos ajo kozmetike.

Dermatologët thonë se acidet në stomak e shpërbëjnë kolagjenin pa arritur akoma në lëkurë, ndaj përfitimet janë të diskutueshme.

Kjo nuk i ka ndaluar kompanitë të prodhojnë suplemente të kolagjenit.

Shpesh ato kanë bërë një vesh shurdh ndaj pretendimeve për ndotjen me metale të rënda të burimeve të përdorura, kryesisht nga shtazët dhe shpendët.

Si Të Bëni Zgjedhjen E Duhur

Nëse keni interes në përdorimin e suplementëve të tillë, AgroWeb.org ju rekomandon:

  • Blini produkte të tilla nga kompani që e marrin kolagjenin nga shpendë dhe shtazë të ushqyera në natyrë dhe pa antibiotikë.
  • Qëndroni shumë larg përzierjeve në dukje luksoze që kombinojnë kolagjenin me probiotikë, fibër dhe shtesa të tjera që e shkatërrojnë këtë proteinë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.