Trajtoni Rrathët e Zinj të Syve në Shtëpi me Pesë Mënyra Natyrale

1.5k 0

Netë të gjata pa gjumë, lodhje apo trashëgimi gjenetike, rrathët e zinj poshtë syve kur shfaqen duan një kohë të gjatë të largohen.

Nuk ka shumë rëndësi mosha apo gjinia, ato mund të bëhen pjesë e portretit të gjithkujt.

Sidomos nëse keni një stil jetese jo të rregullt e konsumoni pije alkolike, duhan apo shumë kafeinë.

Të gjithë këto faktorë ndikojnë në pamjen tuaj duke ju bërë kështu të dukeni më të lodhur e të pa shëndetëshëm përgjatë gjithë ditës.

Zgjidhjen për këtë problem si gjithnjë do ta kërkojmë tek mënyrat sa më natyrale, të thjeshta dhe të përballueshme nga secili.

AgroWeb.org ju këshillon të provoni disa kura që përgatiten lehtë në shtëpi në mënyrë që të mund të largoni në pak kohë këtë problem nga fytyra juaj.

Ndiqini këshillat tona hap pas hapi si mëposhtë.

Mënyra e parë

Nëse zgjoheni gjithnjë me sy të zinj e të fryrë masat duhet t’i merrni që më parë.

Çdo natë para se të shkoni për të fjetur fusni në frigorifer një peshqir të vogël ose napë dhe lëreni aty përgjatë natës.

Në mëngjes vendoseni peshqirin mbi sy dhe ball duke e lënë për 5 minuta.

Këtë metodë mund të bëni çdo ditë pasi ndihmon në uljen e inflamacionit rreth zonës së syve dhe ballit.

Mënyra e dytë

Sa herë që pini çaj sigurohuni që të ruani qeset e vogla të tij.

Bustinat e zakonshme të çajit janë një mënyrë e mrekullueshme për të larguar rrathët e zinj e për të qetësuar sytë.

Pasi t’i keni përdorur shtrydhini mirë, lërini të ftohen paksa derisa lëkura ta durojë dhe vendosini mbi sy për 20 minuta.

Vetitë qetësuese dhe kurative që çajrat kanë zakonisht do të ndikojnë edhe tek sytë tuaj.

Rekomandojmë ta beni këtë me çaj kamomili, mente apo lavande pasi kanë veti të mëdha qetësuese.

Mënyra e tretë

Më e njohura dhe ndër më efektivet është që të vendosni feta kastraveci në sy.

Mbajini ato 10-20 minuta në mënyrë që sytë tuaj të freskohen dhe të përthithin të gjithë hidatimin që kastraveci ofron.

Mënyra e katërt

Aloe vera duket se është zgjidhja për gjithçka.

Vlerat e saj dhe aftësitë qetësuese nuk kanë të mbaruar prandaj vendoseni mbi sy dhe bëni masazh me xhelin e saj.

Bëjeni këtë duke e aplikuar me lëvizje rrethore në pjesën e poshtme e të sipërme të tyre.

Mënyra e pestë

Në këtë trajtim do të përdorni vajin e kokosit dhe të bajames.

Përzieni nga një lugë çaji për secilën dhe aplikojeni në pjesën poshtë syve tuaj duke masazhuar.

Në fund shpëlajeni fytyrën me ujë të vakët dhe pastroni mirë vajin rreth syve./AgroWeb.org