A e Dini se Çfarë Ndodh në Trupin Tuaj kur Merrni Zink? Rastet kur Konsiderohet i Sigurtë

1.9k 0

Shpesh mund të keni nevojë të merrni zink për të parandaluar ose trajtuar një mangësi të kësaj lënde ushqyese, ose për të përmirësuar një gjendje të caktuar shëndetësore.

Zinku është një mineral që lidhet kryesisht me forcimin e imunitetit dhe luftimin e ftohjes, por ka edhe arsye të tjera që njerëzit e marrin atë. Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me to.

Çfarë është zinku?

Zinku është një mineral, për të cilin trupi i njeriut ka nevojë ta marrë në sasi fare të vogla që të funksiojë siç duhet.

Për shkak se nuk prodhohet ose ruhet nga trupi, konsiderohet një mineral i rëndësishëm që duhet ta merrni rregullisht përmes ushqimit ose suplementeve.

Të rriturit kanë nevojë për 8 deri në 11 miligramë zink në ditë, por në varësi të moshës, gjinisë, dhe nëse jeni shtatzënë ose ushqeni me gji, kjo nevojë mund të ndryshojë.

Edhe pse ju nevojitet vetëm një sasi e vogël zinku, mungesa e tij është mjaft e zakonshme.

Rreziku është edhe më i lartë tek të moshuarit, pasi ata priren të mos marrin mjaftueshëm zink nga ushqimi dhe mund të kenë vështirësi në përthithjen e tij.

Burimet e zinkut

Disa nga ushqimet më të pasura me zink janë: gocat e detit, mishi i viçit, pula, mishi i derrit, thjerrëzat, farat e kungullit, tërshëra dhe kosi.

Ndër to, produktet shtazore kanë sasinë më të madhe të zinkut dhe zinku nga këto ushqime absorbohet më lehtë nga trupi sesa ai nga burimet bimore.

Për të përmirësuar përthithjen e zinkut, AgroWeb.org iu këshilloni ta merrni atë me ushqime të pasura me proteina.

Përfitimet shëndetsore

Disa nga përfitimet kryesore janë:

Mbështet imunitetin

Zinku dhe suplementet e tij mund të ndihmojnë në stimulimin e qelizave të caktuara imune dhe reduktimin e stresit oksidativ, i cili kontribuon në funksionimim e shëndetshëm të sistemit imunitar.

Ndihmon në shërimin e plagëve

Zinku luan një rol të madh në çdo fazë të procesit të shërimit të plagëve sepse ndihmon në reduktimin e inflamacionit.

Ndihmon me rritjen dhe zhvillimin

Zinku ndihmon qelizat të rriten dhe të shumohen, diçka shumë e rëndësishme për zhvillimin gjatë fëmijërisë, adoleshencës dhe shtatzënisë.

Mund të ulë rrezikun e inflamacionit dhe sëmundjeve

Edhe pse inflamacioni është një përgjigje normale imune e trupit, nëse bëhet kronik, mund të çojë në një mori problemesh shëndetësore.

Zinku është një antioksidant, që do të thotë se ndihmon në luftimin e dëmtimit oksidativ të qelizave në trup.

Studiuesit theksojnë se marrja e mjaftueshme e zinkut është shumë e rëndësishme për të rriturit mbi 65 vjeç, sepse ndihmon në parandalimin e problemeve shëndetësore që lidhen me moshën.

Mbron lëkurën

Shumë sëmundje të lëkurës karakterizohen nga inflamacioni. Për shkak se zinku punon për ta luftuar atë, ka një shans që mund të mbrojë lëkurën tuaj.

Në fakt, sëmundjet e lëkurës si dermatiti, puçrrat, zbokthi dhe skuqja nga pelenat, shpesh trajtohen me zink.

A është i sigurtë?

Zinku që merrni nga ushqimi konsiderohet i sigurt. Suplementet e zinkut përgjithësisht tolerohen nga organizmi, por marrja e tepërt e zinkut mund të ketë disa efekte negative. Simptomat mund të përfshijnë:

  • Të përziera
  • Të vjella
  • Dhimbje stomaku
  • Diarre
  • Mungesë e bakrit

Suplementet e zinkut mund të ndërveprojnë edhe me medikamente të tjera, të tilla si antibiotikët.

Këshillohuni gjithmonë me mjekun për të gjitha suplementet që merrni dhe ato që dëshironi të shtoni. Kjo mund t’ju ndihmojë të shmangni efektet negative shëndetësore. /AgroWeb.org