Cilësitë Unike të Vajit të Ullirit të Egër Shqiptar

4.2k 0

A e dini se në Shqipëri gjenden gjithashtu ullastra nga më të vjetrat? Janë pemë ulliri të egra, kokrrat e të cilave janë mjaft më të vogla se ato të ullinjve të kultivuar. Sa më e egër dhe e vjetër, aq më të vogla kokrrat.

“Bimët e egra ishin e shkuara, por mund të jenë edhe e ardhmja” thotë për AgroWeb, eksperti i ullishtarisë, Dhimitër Panajoti.

“Ullastra, thotë zoti Panajoti zakonisht përdoret për polenizimin e ullinjve të tjerë. Sasia e vajit e prodhuar nga ullastra është mjaft e vogël ndaj edhe nuk vlen që të këtë prodhim vetëm nga kjo pemë edhe pse vlerat e këtij vaji janë shumë të mira veçanërisht sepse përmban acide yndyrore të pangopura, pra likuid dhe jo yndyrna të dëmshme.”

Në Shqipëri ullastrat, pra ullinj të egër gjenden në të gjitha zonat ku ka ullishta. Zoti Panajoti shpjegon për AgroWeb se ato gjenden në qarkun e Tiranës e Durrësit, Elbasan deri në Shkodër ndërsa ullastra shumë të famshme janë ato në zonat e Jugut.

“Në Kakome, thotë ai, ka pyje të tëra me ullastra, por janë të egër dhe askush nuk merret me përpunimin e tyre. E veç kësaj janë në zona shumë të thella dhe jo të mirëmbajtura.”

Ullastrat, duke qenë pemë të egra i rezistojnë për mrekulli thatësirave, dhe zoti Panajoti na zbulon edhe një fakt interesant.

‘Ndryshimet klimatike dhe valët e të nxehtit po rrezikojnë bimësinë, duke rrezikuar kështu edhe prodhimin.

Spanja është një nga vendet që në strategjinë kombëtare ndaj ndryshimeve klimatike ka përfshirë përdorimin e ullastrave, pemëve të egra të ullirit për të nxjerrë kultivarë të përpunuar që i rezitojnë thatësirave, pra për të vijuar prodhimin edhe në përballje me valët e të nxehtit”, thotë ai për AgroWeb.

Në Elbasan ullastra quhet edhe ‘nangjyshja e ullinjve’, nga prej kanë dalë edhe ullinjtë e tjerë. Vaji ullastrës perdoret kryesisht per kurim sepse sasia per 100 kg ulli nuk i kalon 10 litra vaj.

Janë shumë të pakta fabrikat e ullirit që prodhojnë vaj nga ullastra, edhe pse kërkesë ka, por çmimi është i lartë.

Fatmir Skilja, një prej prodhuesve të njohur të vajit të ullirit në Elbasan thotë për AgroWeb se pas një ndërprerje, do t’i riktheher këtë vit prodhimit të vajit të ullastrës.

“Ne në Elbasan, thotë ai, nuk e quajmë ulli i egër, por e quajmë ullastër njësoj si rrënja latine oleaster europea.

Në ullishten tonë mund të grumbullojmë këtë vit rreth 60-70 kg, por duke i blerë edhe nga fermerë të tjerë mendoj të grumbulloj rreth 300-400 kg pasi sasia e prodhimit është e ulët, 6-7 kg vaj për 100 kg ullinj nga ullastra.

Zoti Skilja thotë se vaji që ka prodhuar më parë nga ullinjtë ë kësaj peme të egër ishte me një aromë shumë të fortë e ngjyrë të plotë rubin dhe nga analizat e bëra në Greqi rezultoi me vlera fantastike si një ‘superilaç ’, siç e quan ai.

‘Kosto mund të jetë më e lartë 3 apo 5 mijë lekë për litër, por vlerat e tij s’kanë të paguar’ thotë zoti Skilja për AgroWeb.org

Fuqia superiore e vajit të ullastrës

Vaji i ullastrës është superior nga natyra dhe i përket kategorisë së atyre ushqimeve që mbrojnë lipidet e gjakut nga stresi oksidues sipas Rregullores 432/2012 të Bashkimit Evropian.

Vaji i ullastrës është aq i dendur, sa mjafton një lugë në ditë për të marrë vlerat maksimale shëndetësore.

Procedura e nxjerrjes së këtij vaji (me presim të ftohtë) garanton cilësinë maksimale dhe vlera të larta bioaktive.

Ullinjtë përpunohen në të njëjtën ditë, ndaj fruti transformohet në vaj në më pak se 24 orë.

Vaji i ullirit të egër është unik. Përdoret në ushqim si një alternativë më e mirë e vajit ekstra të virgjër, por edhe si suplement për ta konsumuar në mëngjes.

Kur fruti zgjidhet, mblidhet dhe presohet siç duhet, vaji që ai nxjerr ka një përqendrim të lartë të dy substancave të rëndësishme farmaceutike: Oleocanthal (substanca që i jep vajit të ullirit cilësinë më të mirë, edhe atë shijen pikante në qiellzë) dhe oleacein.

Ky vaj jo vetëm që ka vlera të larta antioksiduese, por edhe ka aftësinë të ulë nivelet e kolesterolit dhe luftojë inflamacionin.

Substanca oleocanthal jep një kontribut të çmuar për shëndetin e trurit dhe parandalon sëmundjen e Alzheimer.

Studimet kanë treguar që kjo substancë lidhet me neurotoksinat e dëmshme dhe i ndalon ato të sulmojnë neuronet.

Një gjë e tillë, bën që antitrupat ta kenë më të lehtë të luftojnë toksinat. Falë kësaj aftësie, studimet thonë që konsumimi i vajit të ullirit të pasur me këtë substancë parandalon degradimin e trurit.

Studimet

Një studim 14 vjeçar që përfshinte plot 1,880 njerëz të moshuar në Nju Jork zbuloi se ata që kishin konsumuar një dietë të pasur me oleocanthal kishin 40% më pak shanse për t’u diagnostikuar me këtë sëmundje të trurit.

Studimet e kryera në Universitetin Kapodistrian në Athinë të Greqisë, treguan që vaji i ullirit të egër ka përqendrimin më të lartë të oleocanthal, 528 mg/kg.

Vajrat e tjerë të ullirit e kanë këtë tregues në nivel më të ulët, 99 mg/kg. Vaji i ullirit të egër përmban 194 mg/kg oleacein ndërkohë që vajrat e tjerë kanë vetëm 48 mg/kg oleaceinë.

Vaji i ullirit të egër përmban një tjetër substancë të rëndësishme siç njihet oleuropein aglycon e lavdëruar për vlerat mbrojtëse kundër kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe të trurit.

Vaji i ullirit të egër përmban edhe një kimikat të njohur si ligstroside aglycon, në nivel rekord prej 371 mg/kg. Vaji i ullirit të egër ka 4 herë më shumë elementë mjekësorë se sa mesatarja e çdo vaji tjetër ulliri.

Vlerat e tjera të vajit të ullirit të egër

• Ul nivelin e kolesterolit të keq
• Ndihmon sistemin kardiovaskular, duke ulur tensionin e gjakut dhe parandaluar trombozën
• Ndihmon zhvillimin e kockave të femijët e vegjël duke e bërë më të lehtë përthithjen e kalciumit. Përqendrimi i lartë i vitaminës E ndihmon të kundërveprojë me efektet e plakjes.
• Qetëson stomakun dhe parandalon formimin e ulçerës dhe sëmundjeve të tjera.
• Acidi oleik tek vaji i ullirit të egër parandalon mutacionet gjenetike që shkaktojnë kancer. Gjithashtu, ndihmon metabolizmin dhe është veçanërisht i dobishëm në trajtimin e diabetit.

Në lashtësi, Homeri e cilësonte vaji i ullirit të egër “Flori i Lëngshëm” ndërsa Hipokrati e quante atë “Shëruesi i Madh”. Të jenë harruar vallë këto vlera?/AgroWeb.org