Gjethet e Panxharit – Të Gjelbrat më të Shëndetshme

3.9k 0

E zakonshme për tregjet e fshatarëve, por e rrallë për tryezën e konsumatorëve. Nëse endesh në tregjet e hapura, shikon gjethe të bëra bashkë, të cilat nuk janë ndonjë barishte që e njeh.

Vetëm nëse pyet dhe kupton që bëhet fjalë për gjethe panxhari, arrin në përfundimin që deri tani ke neglizhuar një barishte në familjen e lakrave të egra, me vlera absolutisht të mira dhe natyrale.

Në fakt, këto gjethe përmbajnë sasinë më të madhe të mineraleve, vitaminave dhe antioksidantëve.

Gjethet të cilat kanë pak kalori, mund të këputen edhe përpara se panxhari të jetë pjekur. Ato kanë më shumë vlera kur bima është akoma e re dhe kërcenjtë janë të butë.

Bima e panxharit është një nga kulturat bujqësore më të preferuara në Shqipëri.

Vlerat e Gjetheve të Panxharit

Gjethet e panxharit janë shumë të ushqyeshme. Ato përmbajnë pak kalori. Në 100 gramë barishte gjenden 22 kalori.

Pavarësisht kësaj, ato janë ndër barishtet më të shëndetshme që mund të rekomandohen, duke qenë se nuk kanë kolesterol, por nga ana tjetër janë shumë bujare me vitamina, minerale dhe antioksidantë.

Përmbajnë më shumë vitamina, minerale dhe fibër se vetë panxhari (përveç folatit) por nga ana tjetër përmbajnë pak yndyrna dhe sheqerna.

Janë një burim i shkëlqyer i beta karotenit, luteinës dhe zeaksanthinës.

Janë një burim i pasur i vitaminës A. 100 gramë barishte plotësojnë 211% të dozës së rekomanduar të vitaminës A, e cila është e nevojshme për të ruajtur membranat dhe lëkurën të shëndetshme dhe për të përmirësuar shikimin.

Këto barishte janë të pasura me vitaminë K. Në 100 gramë gjenden 333% të dozës së rekomanduar ditore.

100 g të gjetheve të freskëta përmbajnë 30 mg ose 50% të dozës së rekomanduar të vitaminës C.

Këto barishte janë të mira sepse përmbajnë edhe vitamina të kompleksit B siç janë riboflavina, folati, niacina, vitamina B-6 , thiamina, acidi pantotenik etj, të cilat janë të dobishme për organizmin.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, gjethet e panxharit janë gjithashtu të pasura me magnez, bakër, kalcium, sodium, kalium, hekur, mangan dhe fosfor.

Profili ushqyes i një niveli të lartë i këtyre barishteve duhet shfrytëzuar në rastet kur vuani nga mangësia e vitaminës A, osteoporoza, anemia, dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Përgatitja dhe servirja

Gjethet e panxharit duhen gatuar me avull ose kavërdisur deri sa të zbuten pak.

Gjethet e panxharit kombinohen mirë me barishtet e tjera si spinaqi dhe pazia. Ato mund të përfshihen në gatimin e byrekëve, supave, makaronave, picave, omletave, madje dhe bukës.

Gjethet e freskëta dhe të vogla të panxharit mund të shtrydhen dhe të pihen në formën e lëngut. Por, duke qenë se përmbajnë sasi të larta të acidit oksalik ato duhen kombinuar me barishte të tjera dhe perime siç janë kastraveci ose fruta si limoni jeshil dhe portokallet.

Gjethet e freskëta dhe të vogla të panxharit mund të përdoren edhe në sallata. Gjethet më të pjekura duhen gatuar./AgroWeb.org