Diabeti zë vendin e shtatë në listën e sëmundjeve më vdekjeprurëse në botë.
Përqindja e diabetit në Shqipëri në popullatën e rritur është 1.9% sipas Institutit të Shëndetit Publik.
Në Shqipëri njihen zyrtarisht 60 mijë diabetikë. Megjithatë, sipas ISHP-së, numri i diabetikëve në vend duhet të jetë 2-3 herë më i lartë.
Kjo për faktin se në disa sondazhe të kryera në Tiranë gjatë dekadës së fundit, rezulton se rastet e diabetit të padiagnostikuar ka qënë 3-4%.
Pra në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë njerëz.
Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti i tipit 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç .
Ndërkohë, të dhënat e revistës Monitor për vitin 2017 tregojnë se Shqipëria ka numrin më të madh të vdekjeve të shkaktuara nga kjo sëmundje se në çdo vend tjetër të Evropës.
Prevalenca e sëmundjes ka pësuar një rritje tek të dyja gjinitë, veçanërisht tek meshkujt.
Shenjat Paralajmëruese Të Diabetit Tek Meshkujt
Nëse keni disa prej simptomave të përmendura më poshtë, bëni sa më parë një konsultë tek mjeku.
Njolla të Errëta Në Lëkurë
Lëkura është dritarja e shëndetit të organizmit.
Nëse në të vëreni njolla të një ngjyre të errët atëherë mund të jeni të ndjeshëm ndaj insulinës, një nga pikënisjet e diabetit të tipit 2.
Këto njolla shkaktohen nga hormone që janë përgjegjëse për sekretimin e insulinës.
Mpirje e Gjymtyrëve
Një nga komplikacionet më të përhapura të diabetit të tipit 2 ka të bëjë me neurpathinë periferiale, një dëmtim nervor që prek gjymtyrët, veçanërisht duart dhe këmbët.
Nëse gjymtyrët ju mpihen shpesh, bëni një vizitë tek mjeku.
Etja
Etja është simptomë e të paktën 8 problemeve shëndetësore dhe diabeti bën pjesë në të.
Nëse keni etje të madhe dhe urinoni shpesh, kjo mund të jetë duke ndodhur për shkak të nivelit të rritje të sheqerit në gjak, që i detyron veshkat të punojnë fort për të filtruar sheqerin e tepërt.
Oreksi Jashtë Kontrollit
Nëse oreksi ju ka dalë jashtë kontrollit, atëherë mund të jeni diabetikë.
Oreksi merr përmasa të mëdha kur trupi prodhon shumë insulinë e cila më pas nxit urinë.
Humori i Keq
Studimet kanë treguar se meshkujt diabetikë janë më të rrezikuar nga vdekja e parakohshme për shkak të depresionit dhe ankthit.
Kur niveli i sheqerit në trup është shumë i lartë, lodhja është e madhe, humori i luhatshëm dhe mund të ngjajë me depresionin.
Marramendje
Diabeti dëmton enët e vogla të gjakut që ndikojnë më pas tek qarkullimi i tij në veshin e brëndshëm.
Diabeti me marramendjen mund të jenë në dukje probleme pa lidhje me njëra tjetrën, megjithatë marramendja tregon që sheqeri në gjak është i lartë./AgroWeb.org