Vezoret Policistike Dhe Lidhja Me Verën E Kuqe – Çfarë Zbulojnë Studimet e Reja

2.1k 0

Sindroma e vezoreve policistike është një nga çrregullimet më të zakonshme hormonale të sistemit endokrin që prek gratë në moshë riprodhuese dhe karakterizohet nga nivele jonormale të hormoneve. Së fundmi shkencëtarët kanë zbuluar se resveratroli, një përbërës natyral që gjendet tek vera e kuqe dhe tek rrushi ka një ndikim në këtë gjendje, të cilën AgroWeb.org ju fton ta zbuloni më poshtë.

Sindroma e vezoreve policistike

Sindroma e vezores policistike (PCOS) është një gjendje që ndikon në funksionimin e vezoreve të një gruaje.

Tre simptomat më të zakonshme përfshijnë: çrregullim të ciklit menstural, sasi të larta të androgjent dhe vezoret policistike, që janë qeska me lëng të cilat duken më të zmadhuara.

Edhe pse shkaku i vërtetë është i panjohur, besohet se lidhet me nivelet jonormale të hormoneve në trup, duke përfshirë nivelet e larta të insulinës.

Gratë me këtë gjendje prodhojnë sasi pak më të larta të testosteronit dhe hormoneve të tjera mashkullore. Kjo mund të çojë në infertilitet, shtim në peshë, akne ose qime të tepërta në trup, por edhe në probleme të tjera shëndetësore, si diabeti.

Shumica e strategjive të trajtimit përdorin pilulat e kontrollit të lindjes (kontraceptivët) për të ulur prodhimin e androgjenit. Por kohët e fundit, një studim i ri në të cilin AgroWeb.org u bazua, kreu një provë klinike për të vlerësuar efektet endokrine dhe metabolike të resveratrolit tek vezoret policistike.

Resveratroli është një antioksidant i pranishëm në shumë bimë dhe një lloj polifenoli i quajtur fitoaleksin. Fitoaleksina është një substancë e prodhuar si pjesë e sistemit mbrojtës të bimëve kundër sëmundjeve.

Resveratroli prodhohet nga indet bimore si përgjigje ndaj kërpudhave, stresit, lëndimit, infeksionit ose rrezatimit ultravjollcë dhe ka veti anti-inflamatore. Vera e kuqe, rrushi, mjedrat, kikirikët dhe shumë bimë të tjera përmbajnë nivele të larta të resveratrolit.

Hulumtimet kanë treguar se resveratroli është i lidhur me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve koronare të zemrës dhe kancerit.

Studimi është prova e parë klinike që zbulon se resveratroli ul ndjeshëm nivelet e testosteronit tek pacientet me vezore policistike, si edhe të dehidroepiandrosteron sulfat (DHEAS), një hormon tjetër që trupi mund ta shndërrojë në testosteron.

Pjesëmarrësit iu nënshtruan në fillim dhe në fund të studimit, edhe një testi të tolerancës së glukozës për të matur faktorët e rrezikut të diabetit. Sepse shumë gra me vezore policistike janë rezistente ndaj veprimit të insulinës në trupin e tyre dhe si rrjedhojë prodhojnë nivele më të larta të insulinës.

Gjetjet sugjerojnë se resveratroli mund të përmirësojë aftësinë e trupit për të përdorur insulinën dhe potencialisht të ulë rrezikun e zhvillimit të diabetit.

Hulumtimet e ardhshme nga ky ekip studiuesisht mund të përqendrohen në identifikimin e mekanizmave se si resveratroli korrigjon çekuilibrin e hormoneve tek gratë. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.