Dy Mënyrat e Sakta të Përgatitjes së Pilafit në Shtëpi

10.9k 0

Në ka një recetë popullore gatimi në kuzhinën shqiptare ai është padyshim pilafi.

Shoqërues i gatimeve, gjellërave të ndryshme ashtu si edhe mishit, pilafi mbetet përherë në tryezat tona.

Shoqëruar me kos të freskët a salca të ndryshme, ideal për të shijuar mishin ashtu si edhe një zgjedhje fantastike për vaktin e darkës.

Por pavarësisht se është një recetë e thjeshtë, shumë amvisa hasin vështirësi në përgatitjen e duhur të tij duke përdorur shpesh herë edhe shprehjen “nuk më doli gjë” apo “nuk e godita siç duhej”.

Dhe është e vërtetë, disa herë ai del i qullët, e herë të tjera i thatë.

Më poshtë AgroWeb.org do t’ju sjellë dy metoda të thjeshta për të përgatitur siç duhej pilafin në shtëpi, e për ta shijuar pastaj në kombinimet e ndryshme të gatimeve.

Që në fillim, pavarësisht se këtë amvisat e dinë shumë mirë, duhet të respektohet raporti 1 me 2 për masën e orizit dhe ujit apo lëngut të mishit që do përdorni.

Ashtu si edhe sasia e vajit të ullirit apo gjalpit.

AgroWeb.org ju këshillon që duhet të keni parasysh që për 4-5 persona do të duhen 2 filxhanë çaji me oriz dhe 4 filxhanë çaji dhe 2-3 lugë gjelle me ujë apo lëng mishi.

Për ta bërë më të shijshëm përdorni dy lugë gjelle gjalpë dhe dy lugë gjelle vaj ulliri. Megjithatë kjo mbetet sipas preferencës.

Variant me Skuqje

Merrni një tenxhere vendoseni në zjarr, shtoni aty lëngun e mishit ose ujin dhe lëreni të vlojë.

Në të njëtën kohë vendosni edhe një tenxhere tjetër në zjarr, shtoni aty gjalpin derisa të tretet, më pas shtoni vajin e ullirit dhe më pas shtoni orizin dhe kripën.

Kaurdiseni mirë derisa orizi të bëhet pak transparent, në këtë moment shtoni me ngadalë ujin apo lëngun e vluar.

Mbylleni tenxheren duke e lënë kapakun pak hapur dhe ulni nxehtësinë e zjarrit.

Pilafi është gati në momentin kur ta ketë pirë të gjithë ujin.

Varianti me Zierjen e Ujit

Në një tenxhere shtojmë ujin dhe hedhim vajin e ullirit dhe një lugë gjelle me kripë.

Për më shumë shije dhe vlera në vend të ujit mund të përdorni lëng mishi, lëng pule apo lëng perimesh.

Vendoseni tenxheren në zjarr të lartë dhe lëreni që të ziejë.

Sapo të ketë zierë, shtojmë orizin, dhe me lugën e drurit sigurohemi që kokrrizat të mos ngjiten në fundin e tenxheres.

AgroWeb.org ju këshillon që të mos e përzieni shumë, pasi orizi do të bëhet shumë i butë dhe me lagështirë.

I vendosim tenxheres kapakun, dhe ulim zjarrin.

E lëmë orizin që të ziejë për rreth 18 minuta, më pas do ta largojmë nga zjarri, dhe ashtu në tenxhere do ta lëmë dhe 5 minuta të tjera.

Para se ta shërbeni, me ndihmën e një piruni e përzieni me shumë kujdes. Kështu avulli i tepërt nuk do krijojë lagështirë.

Është e rëndësishme që tenxheres të mos ia hiqni kapakun apo që ta trazoni orizin gjatë kohës që ai është duke zierë.

Nëse pilafi është bërë para se ta shërbeni, hiqeni kapakun dhe në vend të tij vendosni një pecetë kuzhine.

Ajo do të thithë lagështirën dhe do të ruaj që orizi të mos bëhet i butë më shumë seç duhet./AgroWeb.org