Kek i Shpejtë dhe i Lehtë me Limon – Ëmbëlsi Magjike

4.1k 0

Tradita shqiptare e përgatitjes së ëmbëlsirave është fantastike.

Me shurup a me sherbet, me fruta të thata, a arra dhe bajame, a me mollë e me karrota, shije të ndryshme, të gjitha të mrekullueshme që të ndjellin e kënaqin oreksin e nepsin menjëherë.

Por fantazia e amvisave në kuzhinë është magjike. Së fundmi, një recetë e ëmbël ka rrëmbyer zemrat e të gjithëve me shijen e saj marramendëse.

Përgatitja e tij kërkon shumë pak kohë dhe përbërësit e tij gjenden patjetër në kuzhinën e çdo amvise shqiptare.

Përbërësit për një tavë me diametër 22-24 cm

  • 120 g niseshte misri
  • 120 g miell gruri
  • 250 g gjalpë i zbutur në temperaturë ambienti
  • 250 g sheqer
  • 4 vezë mesatare
  • Fryrës për ëmbëlsira ose sodë buke 16 g
  • 75 g lëng limoni
  • Lëkura e dy limonëve
  • Sheqer pluhur për spërkatje

Përgatitja

Si fillim presim gjalpin në kubikë të vegjël, dhe e hedhim në një tas të thellë.

Shtoni aty gjysmën e dozës së sheqerit, pak nga pak, ndërkohë që e trazoni.

Pasi kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë me gjalpin, dhe ngjyra e masës të jetë një e verdhë e lehtë, do të shtoni të verdhat e vezëve një nga një (ndërsa të bardhat e vezëve lërini mënjanë).

Do ta trazoni këtë masë derisa të jetë e njëtrajtshme. Merrni dy limonë mesatarë dhe pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm, me ndihmën e një rendeje grijmë lëkurën e tyre.

Lëkurën e limonëve e shtojmë tek masa me vezët, gjalpin dhe sheqerin dhe e përziejmë përsëri.

Në një tas tjetër trazojmë miellin, niseshtenë dhe sodën e bukës, më pas e shtojmë një lugë gjelle pas tjetrës tek sheqeri, gjalpi dhe vezët.

AgroWeb.org ju këshillon të tregoni kujdes në mënyrë që tek brumi të mos krijohen kokrriza të pa tretura të miellit.

Në një tas tjetër rrahim të bardhat e vezëve, më pas fillojmë dhe shtojmë pak nga pak sheqerin, duke u kujdesur që të mos lëshojnë ujë.

Në fund shtojmë dhe lëngun e limonit dhe vazhdojmë t’i rrahim derisa të përfitojmë një masë kompakte dhe të lehtë.

Hapi tjetër është bashkimi i vezëve të bardha tek brumi.

AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni një lugë gjelle për të përzierë brumin, duke e trazuar nga poshtë lartë në formë rrethore.

Marrim një tavë me diametër 22-24 cm, e lyejmë me pak gjalpë të shkrirë dhe e spërkatim me pak miell, në mënyrë që brumi të mos ngjitet.

Hedhim brumin e përgatitur, dhe e vendosim në furrë të ngrohur më parë në 180 gradë.

Për të kuptuar nëse keku është gati, me një thikë apo pirun shpoheni dhe nëse sipërfaqja e thikës del e pastër, brumi është pjekur plotësisht dhe brenda.

Servirja

Pasi keku të jetë ftohur pak, e kthejmë në një pjatë të madhe dhe e spërkatim sipër me sheqer pluhur.

Ose nëse dëshironi merrni 5 lugë gjelle me sheqer pluhur dhe 2 lugë gjelle me leng limoni, rrihini derisa masa të bëhet kremoze dhe hidheni sipër kekut kur ai të jetë ftohur.

Kjo ëmbëlsirë është ideale për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës, e madje edhe në mëngjes me një gotë me qumësht.

Fantastike për t’u shoqëruar me një filxhan kafe apo çaj, por edhe me lëngje frutash gjithashtu.

Keku me limon shërben gjithashtu edhe si një gosti shijshme për ta përgatitur e shërbyer për mysafirë e të ftuar në raste festash e gëzimesh. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.