Krem Pite Plot Delikatesë – Receta e Thjeshtë si ta Përgatisni

1.5k 0

Kjo ëmbëlsirë do t’ju lërë të kënaqur! Petë sfoliatë të pjekura e krokante të shoqëruara me kremin më fantastik që keni provuar.

Ndiqni me kujdes hapat e shpjeguar në recetë, sidomos për përgatitjen e kremit, dhe përgatiteni që sot.

Madje mund ta përgatisni edhe për festa apo gëzime familjare pasi është një ëmbëlsirë që përveç shijes ka edhe një pamje tërheqëse.

Përbërësit:

Brumi:

  • 250 gr petë sfoliatë
  • Kremi:
  • 2 litra qumësht
  • 300 gr sheqer
  • 2 pako rreth 20g sheqer vanilje
  • 2 lugë gjelle miell
  • 200 gr niseshte
  • 7 vezë

Përgatitja e brumit:

Peta e sfoliatës është mirë që të mos jetë e ngrirë, ndaj kur ta blini mundohuni të gjeni pakot e freskëta.

Hapeni petën në sipërfaqen e tavolinës suaj dhe punojeni pak me petës sa për ta holluar.

Ndajeni petën në dy pjesë dhe shpojeni me pirun në mënyrë që kur të piqet të qëndrojë e drejtë.

Vendosini pjesët e petës në tavë dhe piqini në furrë të ngrohur me 180 gradë për 20 minuta.

Ngjyra e petës duhet të jetë e artë e ndërsa peta duhet të jetë krokante.

Kur të jetë gati largojeni nga tava dhe lëreni të ftohet.

Përgatitja e kremit:

Në një tas hidhni 7 të kuqet e vezëve me 150g sheqer dhe punojini me rrahësin elektrik.

Kremi duhet të jetë i plotë dhe me ngjyrë të verdhë shumë të lehtë.

Shtoni më pas sheqerin me aromë vaniljeje, 300ml qumësht, miellin dhe niseshtenë.

Gjatë gjithë kohës jeni duke e përzierë me rrahësin elektrik apo me telin e kuzhinës.

Kur masa të jetë e njëtrajtshme dhe pa kokrra kremi është gati.

Ndërkohë në një tenxhere hidhni pjesën e mbetur të qumështit dhe lëreni që të vlojë.

Merrni pak nga qumështi i ngrohtë dhe hidheni me lugë tek masa kremoze që përgatitët me të kuqet e vezëve.

Kështu temperature e vezëve do të thyhet dhe kur ta kaloni kremin tek qumështi ato nuk do të priten.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes me këtë hap pasi ndryshe kremi do të prishet.

Përziejeni masën me lugë druri derisa të fillojë të mpikset, diçka e tillë parandalon krijimin e kokrrave të patretura të kremit.

Kur masa të jetë trashur largojeni nga zjarri dhe në një tas tjetër rrihni të bardhat e vezëve me 150g sheqer.

Kur të keni formuar merengen bashkojeni atë me pjesën tjetër të kremit.

Vendoseni në zjarr edhe për 2-3 minuta të tjera kremin dhe kështu ai do të jetë gati.

Merrni njërën nga petët dhe vendoseni mbi një tabaka, shtroni aty kremin dhe më pas mbulojeni me petën tjetër.

Lëreni ëmbëlsirën të ftohet në frigorifer për të paktën 3-4 orë para se ta shërbeni.

Në fund mund ta spërkatni me sheqer pluhur apo mjaltë për t’i dhënë një pamje dhe shije akoma dhe më speciale./AgroWeb.org