Lulelakër e Pjekur në Krem Qumështi – Receta e Lehtë me Shije të Përkryer

3.1k 0

Një recetë fantastike me një nga perimet më të mira dhe më të shëndetshme të stinës.

Një gatim special, i lulelakrës së pjekur në krem qumështi, një recetë e cila përgatitet dhe konsumohet në çdo kohë dhe ka një shije tërësisht perfekte.

Përgatitja e Lulelakrës së Pjekur me Krem Qumështit

Përbërësit

  • 1 kokë e madhe lulelakër
  • 2 lugë gjelle gjalpë i tretur
  • 2 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë ose i bardhë (lloji i djathit zgjidhet sipas preferencës)
  •  Majdanoz ose kopër e grirë hollë  (sipas preferencës) 

Për kremin e qumështit (beshamelën) 

  • 3 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2 deri 3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të ndani lulelakrën në degëza të vogla.

Vendosni një tenxhere me ujë dhe pak kripë në zjarr. Lëreni të zjejë, sapo uji të nisë të vlojë hidhni degëzat e lulelakrës dhe lërini të zjejnë për 4 minuta.

Më pas, kullojini nga uji i nxehtë dhe lërini mënjanë.

Ndërkohë përgatisni beshamelën.

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur. Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni. Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.

Shtroni në një tavë letër pjekjeje, merrni një apo dy lugë gjelle nga beshamela që keni përgatitur dhe lyeni përmes një furçe gatimi gjithë sipërfaqen e tavës.

Më pas, vendosni aty lulelakrat në mënyrë të rregulltë, spërkatini me pakëz kripë dhe mbulojini me salcën e kremit të qumështit, pra beshamelën e përgatitur më sipër.

Pasi ta keni përhapur beshamelën në gjithë sipërfaqen e tavës duke mbuluar lulelakrat spërkateni sipër me gjalpë të tretur dhe piper të zi.

Futeni të piqet në furrë të parangrohur në 200 gradë përreth 25-30 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë të pjekur. Lëreni të ftohet 10 minuta dhe më pas shërbejeni duke e spërkatur sipas preferencës me pak majdanoz apo kopër të grirë hollë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.