Si të Ngrini Patëllxhanët në dy Metoda për t’i Shijuar Gjatë Gjithë Vitit

4.3k 0

Perimet dhe frutat duhet të konsumohen kur janë në sezon, kjo është një nga këshillat që çdo person duhet të ndjekë.

Por dëshira e madhe për të përgatitur receta të ndryshme dhe për të përdorur perimet edhe kur s’janë në sezon, kërkon që disa prej tyre t’i ngrini.

AgroWeb.org ju ka treguar metodat e shpejta dhe të lehta të ngrirjes së pothuaj të gjithë perimeve e frutave sezonale.

Sot, gjithsesi sjell një tjetër perime vlerat e së cilit janë të pazëvendësueshme për organizmin.

Patëllxhani është një perime që nëse ruhet sipas mënyrës së duhur, do të mund ta përdorni deri vitin tjetër.

Lexoni me kujdes hapat që ju duhen dhe ju mbetet vetëm të blini patëllxhanë dhe të filloni procesin.

Si të Ngrini Patëllxhanët

Një nga sekretet e ngrirjes së perimeve është pikërisht freskia e tyre kur i blini.

Pra AgroWeb.org ju këshillon që të zgjidhni gjithmonë patëllxhanë të freskët, dhe nëse njihni fermerë merrini personalisht tek ata.

Një këshillë tjetër është dhe uniformiteti i ngjyrës së patëllxhanit, diçka e tillë tregon gjithashtu freskinë e tij dhe pjekjen e duhur.

Pasi t’i ngrini ju mund t’i përdorni për fërgesë, salcë, supë, për t’i skuqur apo për t’i përdorur në byreqe apo lazanja.

Metoda e parë

Pasi t’i keni larë dhe qëruar patëllxhanët dhe pritini në copa me trashësi 2-3cm.

Kini kujdes që të qëroni dhjetë prisni aq patëllxhanë sa ju lejon tenxherja.

Nëse i lini copat e patëllxhanit të ekspozuara në ajër për më shumë se 30 minuta, ato do të marrin një ngjyrë të kafenjtë.

Ndërkohë në një tenxhere hidhni tri litra me ujë dhe gjysmë gote me lëng limoni.

Tenxheren vendoseni të ziejë në zjarr mesatar.

Filloni të fusni copat e patëllxhanit në ujë dhe lërini të ziejnë për 4 minuta.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur nxirrini nga tenxherja dhe lërini të ftohen e më pas futini nëpër qeset e ngrirjes dhe futini në ngrirje.

Nëse doni ti përdorni në formën e pastës apo puresë, për supa apo salca, copat e patëllxhanit pasi t’i keni zierë mund t’i shtypni.

Ndërsa nëse doni t’i përdorni për skuqje, atëherë merrni qesen e kuzhinës dhe shtroni aty një shtresë me patëllxhanë.

Sipër tyre vendosni një tjetër qese kuzhine dhe palosni anët, dhe kështu veproni edhe për shtresat e tjera të patëllxhanit.

Në fund futini në qeset e ngrirjes e më pas në frigorifer.

Metoda e dytë

Kjo metodë vlen për të gjithë ata që kanë skarë, ose tigan gize në shtëpitë e tyre.

Por edhe pë rata që duan t’i pjekin në furrë.

Mjafton që patëllxhanët t’i keni larë dhe tharë mirë me pecetë, e më pas shpojini me një pirun disa herë.

Piqini në furrë me 220 gradë, skarë apo tiganin e gizës, derisa të zbuten.

Pasi të piqen me një lugë merrni tulin e patëllxhanit dhe futeni në qeset e ngrirjes dhe mund ta përdorni për çdo salcë, supë apo gjellë.

Përmes këtyre metodave mund t’i ruani patëllxhanët nga 9 deri në 14 muaj./AgroWeb.org