Petulla me Lule Kungulli – Të Lehta me Shije të Freskët

2.1k 0

Një mënyrë fantastike për të ndezur shijen e mirë të gatimit në gjithë familjen. Sigurisht petullat mbeten ndër recetat më të preferuara të shqiptarëve.

Me djathë a me reçel, me mjaltë a me kanellë, petullat janë ndër recetat më ndjellëse të shijes.

Sidomos kur ato përgatiten nga duart e nënave dhe gjysheve, është e pamundur tu rezistosh.

E sigurisht, sapo nis të hash një prej tyre nuk mund të ndalësh pa ngrënë edhe disa të tjera.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së petullave me lule Kungulli.

Lulet e Kungullit janë ndër produktet më të freskëta të stinës ndërsa i japin një shije të lehtë dhe delikate.

Ato shndërrrohen në një gatim fantastik teksa përgatiten si petulla, një mënyrë tradicionale e përgatitur nga amvisat shqiptare.

Shoqërohen në mënyrë fantastike me kos por edhe me djathë të bardhë.

Përgatitja e Petullave të Shtëpisë me Lule Kungulli   

Përbërësit

  • 300 gr Lule Kungulli
  • 2 gota uji me miell
  • 1 gotë uji me kos
  • 1 kokërr vezë
  • Gjysmë luge kafeje me sodë
  • Vaj
  • Pak kripë
  • Pak gjalpë (një lugë të vogël)

Përgatitja e petullave

Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën dhe pak gjalpë.

I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.

Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.

Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.

Lulet e Kungullit të pastruara dhe të kriposura i fusim në brumin e petullave.

Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.

Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.

Mund të përdorim një lugë gjelle për ndarjen e brumit për çdo petull.

Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.

Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.