Qofte me Oriz – Receta e Thjeshtë e Përgatitjes në Shtëpi

2.7k 0

Në mesin e shumë recetave të tilla AgroWeb.org sjell sot për ju një recetë të qofteve me oriz e cila ka një mbushje shumë të pasur. Perfekte për t’u shërbyer si meze apo edhe si pjatë e parë.

Nëse mendoni se përgatitja e tyre është e ndërlikuar, e keni gabim! Ngjason me një lojë fëmijësh dhe do të zgjasë gjithsej rreth një orë.

Le të mos presim më tepër dhe le të përgatisim së bashku këto qofte me shije fantastike sipas recetës më poshtë.

Përbërësit

(për 16 qofte)

  • 1 kg oriz
  • lëng perimesh
  • 1 qese shafran
  • 300 g mish i grirë
  • 150 g bizele
  • 300 g pure domatesh
  • 1 lugë çaji koncentrat domateje
  • 200 g kaçkavall
  • 200 g miell
  • 300 ml ujë
  • ½ karotë
  • ½ qepë
  • ½ kërcell selinoje
  • vaj ulliri
  • kripë dhe piper për shije
  • thërrime buke
  • vaj

Përgatitja

Filloni duke gatuar orizin në lëngun e perimeve. Për më shumë aromë tresni aty edhe shafranin.

Pasi orizi të jetë gati, kalojeni në një tavë dhe lëreni mënjanë të ftohet.

Ndërkohë vazhdoni me përgatitjen e mbushjes së qofteve.

Për këtë, skuqni në një tigan me vaj, karrotën e grirë, qepën dhe selinonë. Më pas shtoni aty mishin e grirë dhe skuqeni duke e përzier vazhdimisht.

Në fund shtoni bizelet së bashku me purenë dhe koncentratin e domates edhe gjysëm gote ujë.

Hidhni kripë dhe piper për shije dhe gatuajeni për rreth dhjetë minuta, ose derisa salca të tkurret.

Tani është koha të bashkojmë përbërësit për të formuar qoftet.

Fillimisht lagni me ujë duart. Më pas merrni një grusht me oriz dhe hapeni në pllëmbën e dorës.

Në qendër shtoni masën me mish që përgatitët dhe pak djathë kaçkavall të grirë.

Mbështilleni duke i ngjeshur mirë përbërësit dhe duke i dhënë formën klasike të rrumbullakët. Vazhdoni kështu derisa përbërësit të përfundojnë.

Tani kaloni tek skuqja në tigan. Tigani duhet të jetë i thellë, me qëllim që qoftet të mbulohen plotësisht nga vaji.

Ndërkohë që vaji nxehet, bashkoni në një enë 300ml ujë, miellin dhe pak kripë. Njomni aty një nga një qoftet dhe më pas kalojini në një pjatë të mbushur me thërrimet e bukës.

Pas kësaj skuqini derisa qoftet të marrin një ngjyrë të artë./AgroWeb.org