Kinoa me Mish Pule dhe Brokoli – Receta e Shëndetshme

1.6k 0

Kinoa është futur masivisht në tregun shqiptar dhe ka krijuar një grup të madh dashamirësish të cilët kanë ushqyerjen e shëndetshme si prioritet.

Këtë drith mund ta gjeni kudo, në çdo supermarket të paketuar me mbishkrimin quinoa.

Çfarë Është Kinoa?

Kinoa është një farë që vjen nga bima e Chenopodium dhe megjithëse është një farë nuk futet tek familja e drithërave.

Megjithatë kjo farë është shumë e ngjashme në  vlera ushqyese dhe konsumohet e gatuhet thuajse në të njëjtën mënyrë.

Ka një origjinë 7000 vjeçare dhe qytetërimet e lashta e konsideronin si një nga bimët më të vlefshme.

Në botë numërohen  më shumë se 300 lloje të këtij drithi,  duke filluar që nga ngjyra e bardhë e deri tek e zeza.

Gjithsesi llojet më të përhapura e më të përdorura janë e kuqja e bardha dhe e zeza.

Vlerat e Kinoas

Kjo farë është shumë ushqyese pasi është një burim shumë i madh i  vitaminave, mineraleve, fibrave dhe nuk përmban yndyrna.

Në vetëm 180 gramë kinoa ju do të përfitoni;

50% të dozës së rekomanduar ditore të magnezit

28% të dozës së rekomanduar ditore të fosforit

19% dozës së rekomanduar ditore të folatit

15% dozës së rekomanduar ditore të hekurit

13% dozës së rekomanduar ditore të zinkut

11% dozës së rekomanduar ditore të vitaminës B

Kjo sasi ofron vetëm 200 kalori dhe rreth 8 gramë proteina.

Kinoa njihet si një burim i mirë fibre që ju mban të ngopur gjatë e në mënyrë të shëndetshme.

Flavonoidët, acidi felonik dhe bëtacianinët janë disa nga antioksidantët të cilët kjo bimë i përmban me shumicë.

Kinoa Për Diabetikët

Studime të shumta kanë treguar se kinoa është një kurë natyrale edhe kundër sëmundjes së diabetit.

Nëse konsumoni rreth 16 gramë kinoa në ditë, keni 33% më pak mundësi të prekeni nga diabeti i tipit 2.

Këto efekte pozitive mund të vijnë nga sasia e madhe e fibrave kjo kjo bimë përmban.

Kinoa Me Mish Pule Dhe Brokoli

  • 2 filxhanë çaji lëng pule
  • 1 filxhan çaji qumësht
  • 1 lugë çaji erëza të përziera
  • Gjysëm filxhan çaji miell
  • 2 gota uji
  • 1 filxhan çaji kinoa të shpëlarë
  • 500 gramë gjoks pule
  • Çerek filxhan çaji djathë kaçkavall
  • 3 filxhanë çaji tufëza të brokolit.

Ndizeni furrën dhe përgatisni tavën duke e yndyrosur mirë.

Vendosni një tenxhere në zjarr dhe në të hidhni lëngun e pulës dhe qumështin.

Më pas shtoni miellin dhe erëzat e përzijeni vazhdimisht që lëngu të mos bëhet me kokrriza.

Kur salca të trashet, hiqeni tenxheren nga zjarri.

Në një enë të madhe, përzieni ujin, kinoan dhe salcën. Më pas hidhini në tavë.

Në sipërfaqe vendosni copat e mishit të pulës, spërkatini me erëzat tuaja të preferuara dhe futeni tavën në furrë të piqet për 30 minuta.

Ndërkohë që mishi piqet, ziejeni brokolin në ujë të nxehtë për një minutë.

Pak përpara pjekjes përfundimtare të mishit, vendosini brokolit në tavë dhe fikeni sobën.

Hidhni në sipërfaqe djathin dhe kur të shkrijë hiqeni tavën nga soba, prisni të ftohet pak dhe më pas servireni./AgroWeb.org