Qofte me Perime dhe Gjizë – Receta Verore Gati në 30 Minuta

3.5k 0

Një nga alternativat më të shëndetshme të kuzhinës sot mund të themi që janë qoftet me bazë perimesh.

Shumë të lehta për t’u gatuar, përveçse ju ndihmojnë të mbani trupin në formë janë të mbushura me vitamina.

Kështu, këto thesare të vogla të kuzhinës ju rekomandojmë që t’i bëni sa më shpesh pjesë të vakteve tuaja të shëndetshme.

Në recetën e sotme AgroWeb.org ju tregon si të përgatisni shpejt qofte me perime dhe gjizë.

Ndiqni më poshtë hap pas hap se çfarë ju duhet dhe qoftet tuaja do të jenë gati në 30 minuta.

Përbërësit

  • 200 gr karrota
  • 200 gr patate
  • 1 selino
  • 100 gr gjizë pa kripë
  • 30 gr djathë kaçkavall i grirë
  • 50 gr thërrime buke të thekur
  • kripë
  • rozmarinë
  • sherebelë (sipas dëshirës)

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recetë AgroWeb.org ju këshillon të lani perimet në ujë të bollshëm.

Më pas qërojini më kujdes lëkurën dhe filloni t’i prisni në copa të vogla rrethore.

Mund edhe t’i grini me rende për të shkurtuar akoma dhe më shumë kohën e përgatitjes.

Vini në zjarr një tenxhere të mbushur deri në gjysmë me ujë dhe shtoni të gjitha copëzat e karrotave dhe patateve që pretë më parë.

Lërini ato të ziejnë për disa minuta, derisa të shikoni që janë zbutur plotësisht.

Pasi t’i hiqni nga tenxherja kalojini në mikser në mënyrë që t’i shtypni derisa të marrin formën e puresë dhe më pas shtoni edhe gjizën.

Kujdesuni që gjiza te jetë pa kripë, por nëse nuk ju gjendet në shtëpi dhe do të përdorni atë me kripë kini kujdes me sasinë e kripës që do t’i hidhni në fund.

Shtoni pak nga pak djathin e grirë, thërrimet e bukës, pak kripë nëse është nevoja, pak rozmarinë dhe sherebelë.

Sipas dëshirës ju mund të shtoni edhe pak piper të zi brenda qofteve tuaja teksa vazhdoni me përzierjen e të gjithë masës së krijuar.

Nëse brumi i qofteve është shumë i lëngshëm mund të shtroni edhe pak thërrime buke të thekur, pasi është e rëndësishme që në fund të përfitoni një masë të trashë.

Më pas me anë të një luge merrni masat e qofteve që nuk duhet të jenë më të mëdha se një kokërr are dhe shtrojini në një tavë mesatare.

Kujdesuni që tavën e pjekjes ta shtroni paraprakisht me letër furre në mënyrë që qoftet të mos digjen apo ngjiten.

Vendosini të piqen për 15 minuta në temperaturë 170-180 gradë, derisa të marrin pamje të artë.

Pasi të shikoni që janë gati nxirrini nga furra dhe shërbejini të ngrohta apo edhe të ftohta sipas dëshirës./AgroWeb.org