Si të Dalloni Nëse Karkalecat e Detit Janë të Freskët

4.2k 0

Karkalecat janë një nga produktet më të shijshme dhe më të konsumuara të detit gjatë stinës së verës.

Ato na serviren të skuqura, në skarë, të kombinuara me oriz apo me makarona.

Kur vjen puna tek freskia ndonëse ka gjithmonë mëdyshje, përcaktimi i saj nuk kërkon domosdoshmërisht një sy të stërvitur.

Nësë dëshironi të dalloni nëse karkaleci i detit është i freskët, përqendrohuni tek koka dhe antenat të cilat duhet të jenë të ngjitura dhe jot ë shkëputura.

Karkalecin duhet ta shikoni në sy dhe nëse ato janë të perënduar e të zvogëluar, atëherë nuk është i freskët.

Sytë e karkalecit të freskët duhet të duken qartë dhe të jenë me shkëlqim.

Karkaleci i freskët duhet të ketë një guackë të fortë dhe me shkëlqim.

Njollat e zeza në guackë tregojnë se karkaleci nuk është i freskët ose ka ndenjur për shumë kohë në akull.

Bishti i një karkaleci të freskët nuk duhet të jetë kurrë i zverdhur.

Karkaleci që ka aromën e amoniakut apo të vezës së prishur sapo ka nisur të kalbet.

Nëse nuhasni aromën e klorit, atëherë dijeni që keni të bëni me një karkalec të ndenjur sepse klori përdoret për të maskuar aroma të tjera.

Karkaleci i freskët duhet të mbajë aromën e detit.

Freskinë mund ta dalloni edhe në prekje.

Nëse karkaleci është i thatë dhe i ashpër ose edhe i qullët në prekje atëherë ka ndenjur në ngrirje për një kohë të gjatë.

Karkaleca Me Hudhër Dhe Speca Djegës

Kjo është një recetë shumë e shijshme verore dhe mund të përgatitet shumë lehtë.

Përbërësit:

  • 12 karkalecë të qëruar
  • Çerek luge çaji me kripë
  • Çerek luge çaji me piper të kuq ose të zi
  • 1 lugë çaji me speca djegës jeshilë të prerë hollë,
  • 2 lugë gjelle me vaj ulliri,
  • 1 thelb hudhër
  • 10 gjethe të freskëta borziloku
  • 5 lugë gjelle me domate të prera hollë.

Përgatitja:

Lajini karkalecat dhe lërini në kullesë.

Më pas thajini me letër kuzhine dhe vendosini në një enë gatimi sipas preferencës.

Shtoni kripën, erëzat dhe specat djegës dhe përziejini mirë dhe lërini të qëndrojnë për pak kohë.

Vendosni tiganin në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

Kur ai të jetë ngrohur shtoni hudhrën dhe më pas karkalecat dhe gjethet e borzilokut.

Përziejini disa herë dhe më pas shtoni domatet.

Uleni temperaturën dhe lërini karkalecat të gatuhen deri sa të mblidhen për rreth 2-3 minuta.

Kjo pjatë duhet servirur menjëherë pas gatimit./AgroWeb.org