A e Njihni Djathin e të Varfërve? – Receta me Përbërësit e Thjeshtë

2k 0

Një përbërës i shkëlqyer për t’u ruajtur dhe për t’u përdorur vazhdimisht në recetat tuaja.

Sot AgroWeb.org do të zbulojë për ju djathin e të varfërve, një përbërës shumë i njohur i kuzhinës Italiane, i lehtë për t’u përgatitur dhe që do t’i shtojë edhe më tepër shije pjatave tuaja.

Djathi i të varfërve nuk është gjë tjetër veçse grimca buke të aromatizuara me përbërës si hudhra, vaj, kripa, piperi dhe rigoni. Grimcat e bukës, mund t’i përftoni shumë lehtë nga buka e tharë e grirë. Në fakt, kur ngurtësohet mjaftueshëm, buka e ndenjur mund të grihet si djathi. Për këtë arsye Italianët e quajtën edhe djathi i të varfërve.

Historia e djathit të të varfërve ka të bëjë me aftësinë për t’u mjaftuar me atë që keni në dispozicion në kuzhinë. Një aftësi që një kuzhinier profesionist ose jo, duhet t’a zotërojë mirë.

Sot konsiderohet një përbërës i thjeshtë, por dikur ishte metoda perfekte për t’i dhënë shije perimeve dhe pjatave me makarona, e mbi të gjitha përdorej gjerësisht nga ata që nuk mund të përballonin të blinin djathë.

Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me mënyrën se si ta përgatisni dhe si ta përdorni në recetë.

Si përgatitet

 

Mjafton që bukën e ndenjur, që tashmë është forcuar ta grini së bashku me koret dhe tulin, në një rende.

Pasi ta grini, thërrimet e bukës duhet të trasferohen në një tigan të nxehur që nuk ngjit dhe të kaurdiset me barishte aromatike të copëtuara, pak vaj ulliri ekstra të virgjër, kripë dhe piper.

Mund ta shijoni duke shtuar rigon të tharë të thërrmuar, gjethe borziloku të copëtuara, spec djegës ose nenexhik të freskët.

Ju gjithashtu mund t’i shtoni shije duke e kaurdisur në një tigan me një degëz rozmarine të cilën më pas duhet ta hiqni.

Recetat në të cilat mund ta përfshini

Pasi të jetë gati, thjesht shtojeni në receta përpara se ta shërbeni, ose vendoseni në tavolinë dhe le ta shtojë kush të dojë. Por ju mund të mbushni me të roletë e mishit dhe më pas t’i skuqni ato  në tigan. Mund ta shtoni mbi pulë apo mbi pure, apo ta shërbeni si salcë për makaronat. /AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.