Ashure me Arra, Ëmbëlsira e Dashur Plot Vlera – Merrni Recetën e Saktë

10.7k 0

Falë përbërësve të saj, kjo ëmbëlsirë mbart shumë vlera të mira shëndetsore, siç janë fibrat, mineralet, proteinat dhe vitaminat

Është një ndër ëmbëlsirat më të shijshme dhe më të dashura për shqiptarët. Tradita e përgatitjes së saj në familjet shqiptare është e hershme po aq sa edhe mbetet ende ndër më të preferuarat sidomos në raste festash.

Krejt e lehtë në shije ashtu si edhe për t’u përgatitur, mendohet se Ashurja është një ëmbëlsirë, receta e së cilës vjen nga Turqia por që sot njeh shtrirje edhe në shumë zona të tjera mesdhetare.

Në Shqipëri, Ashurja, kjo ëmbëlsirë e shijshme është përgatitur nga amvisat për shekuj me radhë.

Ajo është një ndër ëmbëlsirat që vështirë se mungon në raftet e pastiçerive shqiptare, është një ndër gostitë e ëmbla e festave fetare, e gjithashtu ndër ëmbëlsirat e dëshiruara që konsumohet gjatë gjithë vitit.

Falë përbërësve të saj, kjo ëmbëlsirë mbart shumë vlera të mira shëndetsore, siç janë fibrat, mineralet, proteinat dhe vitaminat të gjendura tek gruri, arrat, bajamet e frutat e thata.

Ndiqni këtë recetë të sjellë nga AgroWeb.org për të përgatitur ëmbëlsirën e Ashures krejt lehtë në shtëpi.

Përbërësit

  • 1 gotë grurë,
  • 1 gotë sheqer,
  • pak kripë,
  • 2-3 lugë gjellë niseshte,
  • 1 lugë gjellë kanelle,
  • 50 gr rrush i thatë,
  • 100 gr arra dhe bajame të grira,
  • 4-5 karafila
  • 30 g kokrra shege

Përgatitja

Në një tenxhere hedhim masën e grurit. Më pas shtojnë 2.5 litra ujë dhe vendosim në zjarr të ngadaltë që të zjejë.

E kontrollojmë herë pas here duke e përzjerë.

Në momentin kur kokrrat e grurit nisin të plasariten, hedhim pjesën tjetër të përbërësve, kripën, sheqerin, rrushin e thatë, kanellën, karafilat dhe gjysmën e arrave dhe bajameve të grira.

Më pas, në një tas përzjejmë niseshtenë me pak ujë derisa të shkrihet në një masë të vetme. Masën e përftuar e shtojmë në tenxheren në zjarr ku kemi grurin me përbërësit e tjerë. E përzjejmë derisa niseshteja të njëtrajtësohet me masën.

Pasi merr një valë, e heqim nga zjarri dhe masën e hedhim në tasa. Në sipërfaqe hedhim pjesën tjetër të arrave dhe bajameve të grira si dhe kanellë dhe shegën. Pasi ftohen, tasat me Ashure i vendosim në frigorifer, në mënyrë që të marrin shijen e duhur./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.