Bukë e Ngrohtë Misri me Djathë nga Sofra Shqiptare

6.1k 0

Shumë e dashur në tryezat tona, si një ndër gatimet më të vjetra, tradicionale shqiptare, buka e misrit mbetet mes ushqimeve më të preferuara ashtu si dikur, edhe sot.

Vërtet buka e misrit është një recetë e njohur tipike shqiptare. Shija e saj ndër vite ka magjepsur turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë, nga alpet e ftohta deri në jugun e klimës së butë.

E ngrohtë, e thekur me djathtë e shëllirë, me salcë të freskët kosi, me gjizë e vaj ulliri apo përshesh me Gjel Deti, buka e misrit është pjesë e padiskutueshme e ndër më të mirave që mund të ofrojë çdo restorant shqiptar në menunë e tij.

Por e përgatitur në shtëpi, sipas recetës së vjetër së gjysheve tona, e duke huazuar edhe pak dashurinë e mjeshtërinë e tyre për gatimin, buka e misrit është edhe më fantastike e më e freskët gjithashtu, duke ofruar të njëjtën shije ashtu si dikur.

Receta që AgroWeb.org sjell sot për bukën e misrit është receta e vjetër e gjysheve dhe stërgjysheve tona. Kjo recetë, siç është e lehtë në përgatitje, është e lehtë edhe në shije.

Përgatitja e Bukës së Misrit në Shtëpi

Në një enë të pastër hedhim 1 kg miell misri bashkë me pak vaj ulliri. Më pas shtojmë pak ujë të ngrohtë, por më parë sigurohemi që të mos jetë i përvëluar. Sipas traditës së gjysheve tona, ngrohtësia e ujit duhet të jetë e përballueshme aq sa ta durojmë nëse e provojmë me gishtin e vogël të dorës.

Hedhim ujin në enën ku kemi miellin e misrit dhe vajin e ullirit. Më pas hedhim dhe një lugë gjelle kripë dhe i përzjejmë me një lugë druri. Më pas shtojmë pjesën tjetër të ujit të ngrohtë dhe vijojmë të përziejmë derisa të kemi një masë të njëtrajtshme.

Djathin pasi ta keni thërmuar shtojeni në enën ku keni përgatitur masën e bukës së misrit.

Në vijim, masën e përftuar e shtrojmë në tavë apo në një tepsi të vogël, të cilën më parë e kemi lyer me vaj ulliri.

Pasi hedhim masën në tavë dhe e hapin në mënyrë të njëtrajtshme, lyejmë me një furçë me pak vaj ulliri edhe pjesën e sipërme.

Tavën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë celcius për 40 minuta. Kur piqet, buka e misrit merr një ngjyrë të artë, të praruar me disa nuanca portokalli të errët.

Përbërësit

  • 1 kg miell misri
  • 700 ml ujë i ngrohtë
  • 400 g djathë
  • 3 lugë vaj ulliri
  • 1 lugë gjellë kripë

Vlerat e arta për Organizmin e Njeriut

Buka e Misrit është më e mira e të mirave. Kjo, jo vetëm për shijen e lehtë që ka por edhe për vlerat e panumërta ushqimore e mirëbërëse për organizmin e njeriut.

Buka e misrit është një thesar sa i përket vlerave të çmuara. Ajo përmban kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, acid folik, vitamina, A, B-6 dhe B12.

Buka e misrit ndihmon në mbajtjen konstante në nivelit të kolesterolit në gjak ndërsa ndihmon gjithashtu në uljen e nivelit të yndyrnave.

Ajo është një burim i vërtetë i vitaminave dhe proteinave duke shërbyer pozitivisht për mirëfunksionimin e organizmin të njeriut./AgroWeb.org