Domatet e thara, dielli në traditën shqiptare

1.7k 0

Tharja është një proçes që nxjerr në pah ëmbëlsinë natyrale të domateve. Domatet e thara në diell i japin aromë dhe shije të shumëfishtë shumë gatimeve. Ato mund t’i gjeni të gatshme, ose mund t’i përgatisni vetë në shtëpi. Mund t’i thani në ballkon nën rrezet e diellit duke i mbajtur të mbuluara me napë pasi t’i keni prerë në rriska të holla, ose t’i thani në furrë në një temperaturë mjaft të ulët. Domatet e thara kanë një sërë vlerash ushqimore. Ato janë një burim i pasur përbërësish të çmuar dhe ju ndihmojnë të jeni të shëndetshëm.

Po t’i krahasojmë me ato të freskëtat, çdo racion domatesh të thara përmban 20 përqind më shumë likopen. Këto kokrra të bukura të përkëdhelura nga dielli janë një burim i përqendruar i shumë substancash të mira, vitaminë C dhe K, por edhe hekur dhe likopen.

Kjo është ndër periudhat më të mira të vitit për t’u marrë me tharjen e domateve. Tradicionalisht tharja e produkteve të fushës pas verës ka qenë një zakon shqiptar, duke krijuar rezervën e zahireve për muajt më të ftohtë dhe me më pak prodhim frutash dhe perimesh. Pas tharjes, rriskat e domateve ruhen në kavanozë me vaj ulliri, të cilat mbyllen fort dhe hapen kur t’i vijë rradha për konsum.

Kaloritë dhe ushqyesit

Domatet e thara në diell, përmbajnë një sasi të moderuar kalorish. Në një filxhan me domate të thara gjenden 139 kalori, ose 7 përqind të një diete të pasur me 2000 kalori. Çdo racion përmban 30 gramë karbohidratesh të plota, 6,6 gramë fibre dietike ose thënë ndryshe 26 dhe 17 përqind të dozës së rekomanduar ditore të fibrës për meshkujt dhe femrat respektivisht. Të gjithë e dimë që fibra forcon sistemin tretës, shmang konstipacionin e padëshiruar si dhe ju bën të ndiheni të ngopur. Një filxhan me domate të thara në diell përmban 7.6 gramë proteinë dhe 1.6 gramë yndyrna.

Përmbajtja e mineraleve

Domatet e thara në diell shërbejnë si një burim i shkëlqyer mineralesh, në veçanti: kalium dhe magnez. Kaliumi ndihmon nervat të komunikojnë më mirë dhe rregullojnë ekuilibrin e elektroliteve ndërsa magnezi mban indet dhe kockat të shëndetshme si dhe ndihmon në prodhimin e energjisë. Një filxhan me domate të thara përmban 105 miligramë magnez, ose 33 dhe 25 përqind të dozës së rekomanduar ditore për femrat dhe meshkujt respektivisht. Në të njëjtën sasi gjenden 1,850 gramë kalium ose 39 përqind të dozës së rekomanduar ditore. Konsumimi i domateve të thara në diell fuqizon përfitimin e hekurit, manganit, bakrit dhe fosforit.

Përmbajtja e vitaminave

Mos hezitoni të shtoni domatet e thara në diell në dietën tuaj, sepse ato janë të pasura me vitamina sidomos atë K dhe niacinën. Vitamina K ndihmon organizmin dhe indet e kockave dhe luan një rol thelbësor kundër mpiksjes së gjakut. Niacina mbështet metabolizmin dhe kontribuon në funksionimin e shëndetshëm të trurit. Femrat kanë nevojë për 90 mikrogramë vitaminë K dhe 14 miligramë niacinë në ditë, ndërsa meshkujt kanë nevojë për 125 mikrogramë vitamnë K dhe 16 miligramë niacin në ditë. Një filxhan me domate të thara jep 4.9 miligramë niacinë dhe 23 mikrogramë vitaminë K. Në këtë racion, gjenden edhe sasi të vitaminash të tjera siç janë: vitaminat C, A, B-5 dhe B-9.

Këshilla për servirjen e domateve të thara

Aroma e përqendruar e domateve të thara i bën ato të shkëlqyera për panine dhe sanduiçe. Mund t’i shtoni direkt ose t’i përzieni me pak djathë kaçkavall të stazhionuar plus vaj ulliri dhe të formoni kështu një menu të shijshme. Këtë salcë mund ta përdorni në pica, pure ose makarona. Nëse ju pëlqejnë aventurat në kuzhinë atëherë marinojini domatet e thara, shtoni ullinj të zinj, lëng portokalli dhe uthull balsamike dhe shijojini./AgroWeb.org