Gjizë e Pjekur në Furrë me Vezë dhe Lëng Limoni

1.8k 0

Aroma e freskët e limonëve, butësi e parezistueshme, shije e përkryer, kjo recetë fsheh plot sekrete.

Gjiza e pjekur në furrë me vezë dhe limon është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur.

Bëhet fjalë vetëm për përgatitjen e bazës dhe pjekjen e saj në furrë, përgatitje që do t’ju marrë shumë pak kohë.

Perfekte për të gjithë ata që duan diçka të lehtë por të shijshme.

Kjo pjatë mund të shoqërojë drekat apo darkat tuaja, madje mund t’i japi tavolinës suaj një pamje krejtësisht të re.

Ndiqni hapat që AgroWeb.org ju sugjeron dhe shijojeni sa herë që ju lind dëshira.

Përbërësit

  • 750g gjizë
  • 4 vezë
  • 200g niseshte patatesh
  • 120ml pana
  • Lëkura e dy limonëve
  • 50ml lëng limoni
  • Pak gjalpë për lyerjen e tavës
  • Kripë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të ndani të bardhat dhe të verdhat e vezëve në dy tasa.

Nisni të rrihni të bardhat e vezëve derisa të formoni merengen.

Tek të verdhat e vezëve shtoni gjizën dhe pak kripë dhe përziejeni mirë sa përbërësit të lidhen.

Tani shtoni lëkurën e limonit si edhe lëngun e nevojitur.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes dhe ta përzieni gjatë gjithë kohës masën e përbërësve, sidomos kur shtoni limonin.

Pas tij e ka radhën pana e cila i jep edhe ndjesinë kremoze kësaj recete.

Që ta kini më të lehtë mund të përdorni rrahësin elektrik, kështu do të shkurtoni akoma edhe më shumë kohë.

Kur të keni situr niseshtenë e patateve shtojeni tek përbërëzit e tjerë dhe sigurohuni që të jetë njëtrajtësuar para se të vazhdoni me hapin e radhës.

Të bardhat e vezëve duhet t’i shtoni pak nga pak, duke i përzierë me një lugë.

Për të ruajtur një volum të bazës me gjizë, AgroWeb.org ju sugjeron që ta përzieni masën nga lart poshtë me lëvizje rrethore.

Kur të bardhat e vezëve të jenë njëtrajtësuar me përbërësit e tjerë, të gjithë masën kalojeni në një tavë.

Sigurohuni që tavën ta keni lyer më parë me pak gjalpë ose vaj dhe ta keni spërkatur me pak niseshte patatesh.

Nëse doni që të ketë një pamje të bukur mund edhe ta piqni në tavën e kekut për t’i dhënë një formë interesante.

Piqeni në një furrë të cilën e keni ngrohur më parë me 170 gradë.

Duhet ta piqni me nxehtësi të ulët në mënyrë që gjiza të mos digjet.

Sapo sipërfaqja të ketë marrë një ngjyrë të artë, ju mund ta largoni tavën nga furra dhe ta kaloni në një pjatë.

Shijoheni të ngrohtë ose të ftohtë, pasi shija do të jetë fantastike në të dy rastet./AgroWeb.org