Kek i Butë i Mbushur me Krem – Shija e Ëmbël dhe e Lehtë

2.5k 0

Keku futet tek ëmbëlsirat më të gatuara dhe të preferuara nga të gjithë, kryesisht për dy arsye.

Së pari, për shkak të lehtësisë në përgatitje, e më pas për shkak të shijes së mrekullueshme që kjo ëmbëlsirë ka.

Mund ta përgatisni dhe ta konsumoni në çdo kohë, duke filluar që nga mëngjesi e deri në darkë si një mënyrë të shijshme për të mbyllur darkat.

Në recetën e sotme AgroWeb.org ju sugjeron që të provoni kekun e butë të mbushur me krem pastiçerie të përgatitur në shtëpi.

Mësoni lehtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tij duke ndjekur hapat e më poshtëm.

Përbërësit  

  • 3 vezë 200 gr sheqer
  • 300 gr miell
  • 90 ml qumësht
  • 130 ml vaj
  • 1 pako pluhur për ëmbëlsira
  • lëkurë limoni

Për kremin

  • 400 ml qumësht
  • 60 gr miell
  • 100 gr sheqer
  • 1 vezë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të përgatisni kremin.

Në një tenxhere të vogël hidhni qumështin, lëkurën e një limoni dhe vëreni të ziejë në zjarr mesatar.

Ndërkohë zgjidhni një enë të thellë hidhni vezën, sheqerin dhe miellin, duke i përzier të gjithë përbërësit vazhdimisht.

Kur masa të jetë kompakte dhe pa kokrriza, shtoni qumështin e nxehtë dhe vazhdoni me përzierjen.

Në fund hiqni me kujdes lëkurën e limonit e cila nuk duhet të jetë e grirë, por thjeshte e prerë në copa të mëdha të holla.

Më pas hidheni kremin në një tigan ose tenxhere të vogël dhe gatuajeni derisa të trashet plotësisht, duke e përzier vazhdimisht.

Kur të jetë gati vendoseni në një enë të thellë, mbulojeni me letër dhe lëreni të ftohët në temperaturë ambienti.

Tani mund të filloni me përgatitjen e brumit të kekut.

Në një enë të thellë shtoni vezët dhe sheqerin, duke përzier me rrahës elektrik për 5 minuta.

Shtoni po aty, qumështin bashkë me vajin dhe pak nga pak miellin bashkë me pluhurin për ëmbëlsira.

Sipas dëshirës tek brumi mund të shtoni përsëri pak lëkurë limoni, por të grirë hollë.

Përziejini mirë me rrahësen të gjithë këta përbërës, derisa të formohet një masë brumi e trashë dhe kremoze.

Zgjidhni një tavë mesatare pjekje rreth 25 cm me formë rrethore dhe lyejeni mirë me gjalpë.

Hidhni aty të gjithë brumin që përgatitët dhe merrni më pas kremin.

Shtojani atë sipër kekut tuaj duke e hedhur me lugë tek e gjithë sipërfaqja e kekut.

Sipas dëshirës sipër mund t’i shtoni bajame të thërrmuara.

Më pas futeni tavën në furrë të parangrohur dhe lëreni të piqet për 50 minuta në temperaturën 160 gradë.

Kontrollojeni kekun tuaj herë pas here nëse është pjekur sa duhet, do të jetë gati kur të ketë marrë ngjyrë të artë në sipërfaqe.

Hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohët pak, më pas  mund ta shërbeni me pak sheqer pluhur sipër./AgroWeb.org