Mënyrat Fantastike të Shijimit të Rozmarinës Shqiptare

785 0

Rozmarinën mund ta përdorni si çaj bimor për t’i bërë mirë trurit dhe funksioneve të tij. Rozmarina ka efekt gjallërues dhe stimulues. Ajo është pjesë e familjes botanike ku bën pjesë edhe nenexhiku.

Kjo barishte është një burim i mirë fibre, hekuri dhe antioksidantësh. Rozmarina përmban edhe disa acide të rëndësishme siç është ai rosmarinik, kamfor, acidi kafeik, acidi ursolik dhe betulinik. Ajo lufton inflamacionin dhe bakteret.

Në këtë artikull, AgroWeb.org do t’ju mësojë për 4 receta të shëndetëshme të çajit të rozmarinës, të cilat janë të shijshme, të lehta dhe të shpejta për t’u përgatitur.

Çaj rozmarine me mjaltë

Përbërësit e nevojshëm për 2 filxhanë me çaj:

1 deri në 2 tufa të vogla të rozmarinës së freskët ose 1-1.5 lugë gjelle me rozmarinë të thatë
3 lugë çaji me mjaltë
2 filxhanë me ujë

Fërkojini dhe shtypini tufat e rozmarinës me dorë për të nxjerrë prej tyre vajrat esencialë dhe më pas grijini hollë. Hidhini në ujë dhe lëreni të ziejë për 5 minuta. Shtoni mjaltë dhe çajin mund ta pini të ngrohtë ose të ftohtë.

Çaji me qumësht dhe rozmarinë

Çaji i rozmarinës me qumësht ka një paraqitje të këndshme dhe shije freskuese. Për këtë ju nevojiten:

250 ml qumësht
1 tufë me rozmarinë të freskët ose një lugë çaji me rozmarinë të tharë
1 lugë çaji me mjaltë

Rozmarinën ndajeni në katër tufa të vogla. Tre prej tyre hidhini në një tenxhere dhe shtoni qumështin. Lëreni të ziejë dhe më pas uleni zjarrin për pesë minuta. Përzijeni vazhdimisht që të parandaloni djegien e qumështit. Çaji i rozmarinës me qumësht ju jep shumë energji dhe do t’ju gjallërojë pas një dite të gjatë pune. Kjo pije e ngrohtë është më e shëndetshme se një filxhan me kafe nëse keni kaluar një natë pa gjumë.

Rozmarinë, xhenxhefil dhe lëkurë limoni

Përbërësit e nevojshëm për 2 filxhanë me çaj:

1 tufë e vogël me rozmarinë
1 copë e vogël xhenxhefili
Lëkura e grirë e një gjysmë limoni
2 filxhanë me ujë të zier
2 lugë çaji me mjaltë

Valoni të gjithë përbërësit në një tenxhere për 6 minuta. Kullojeni lëngun dhe shtoni më shumë mjaltë nëse ju pëlqen një shije më e ëmbël. Ky çaj është një zgjedhje shumë e mirë sepse përmban shumë antioksidantë dhe minerale. Çaji këshillohet edhe në rastet kur jeni prekur nga të ftohtit, virozat, gripi, bronshiti dhe ndihmon në pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes. Xhenxhefili me rozmarinën punojnë mirë së bashku kundër dhimbjeve dhe problemeve të sistemit imunitar.

Çaji Mesdhetar i rozmarinës, trumzës, sherebelës, kanellës dhe mjaltit

500 ml ujë të ftohtë
2 tufa të rozmarinës së njomë
1 lugë çaji me sherebelë
1 lugë çaji me trumzë
Gjysëm luge kanellë pluhur
2 lugë çaji me mjaltë

Zieni ujin në tenxhere dhe më pas hidhni të gjithë përbërësit e tjerë. Kullojeni lëngun dhe pijeni. Kjo recetë mesdhetare ofron shumë antioksidantë dhe minerale. Ky çaj lufton të ftohtin, virozat, gripin dhe ju mban ngrohtë dhe për më tepër ul dhimbjen dhe forcon sistemin imunitar. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.