Oriz i Pjekur me Qumësht dhe Vezë – Receta që Premton Shije

2.4k 0

Recetat e gatimit asnjëherë nuk mbarojnë. Gjithmonë ka diçka të re që ia vlen të provohet dhe i tillë është rasti i orizit të pjekur me qumësht dhe vezë.

Mund të duket e çuditshme, por AgroWeb.org ju premton shije perfekte. Një recetë e lehtë dhe që përgatitet pa mundim të tepërt.

Mjafton të ndiqni hapat e përshkruar më poshtë dhe do të mrekulloni me aromë të mirë të dashurit tuaj.

Përbërësit

  • 700ml qumësht
  • 300gr gjizë pa kripë (nëse dëshironi mund ta zëvendësoni edhe me djathë)
  • 200g oriz për supë
  • 3 të verdha vezësh
  • Gjalpë
  • Bukë e thekur e thërrmuar
  • Kripë

Përgatitja

Për të filluar me recetën, fillimisht duhet që të vini për të zierë qumështin duke i hedhur pak kripë.

Kur qumështi të ketë filluar të vlojë është momenti për të shtuar orizin.

AgroWeb.org ju sugjeron që ta përzieni dhe ta lini të ziejë për 10 minuta.

WWshtë e rëndësishme që ta përzieni herë pas here, kështu kokrrat e orizit nuk do të ngjiten në fundin e tenxheres.

Hiqeni nga zjarri dhe pasi ta keni provuar për kripë, lëreni të ftohet.

Ndërkohë, lyeni një tavë me gjalpë dhe spërkateni me bukë të thekur.

Në një tas të vogël hidhni gjizën dhe përzjejeni me të verdhat e vezëve derisa të krijoni një masë të njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që këtë masë ta shtoni tek orizi dhe ta përzieni mirë.

Kur të keni formuar një brumë të plotë, hidheni tek tava që përgatitët dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Në fund spërkateni përsëri me bukë të thekur të thërrmuar dhe futeni për ta pjekur.

Kini kujdes që furrën ta vendosni tek 180 gradë dhe ta lini të piqet për 45 minuta.

Gjatë pjekjes së ngadaltë, orizi do të ketë përthithur të gjithë qumështin dhe do të jetë zbutur aq sa duhet.

Nëse nuk jeni të sigurt për pjekjen, mund ta provoni duke e shpuar me një thikë.

Pasi të jetë pjekur mjafton që ta lini të ftohet dhe ta ndani nga anët e tavës.

Në fund do t’ju duhet vetëm ta servirni për të afërmit tuaj. /AgroWeb.org