Patëllxhanët janë një ushqim i shijshëm që zakonisht mbushen me përbërës si mishi, perimet ose orizi.
Por nëse po kërkoni një recetë të veçantë dhe një shije të re në tryezën tuaj, mbushja e tyre me bollgur do t’ju mahnisë.
Bollguri, i cili nxirret nga përpunimi i grurit të plotë, në këtë recetë kombinohet me domate, selino, kastravecë dhe tul patëllxhanësh.
Duke krijuar kështu një përzierje ushqyese dhe të përshtatshme edhe për vegjetarianët.
Në fund, kësaj recete i shtohet djathë dhe aroma e parezistueshme e borzilokut, që do t’i bëjë patëllxhanët e mbushur me bollgur edhe më të shijshëm!
AgroWeb.org ju fton të ndiqni hapat e më poshtëm për të përgatitur këtë recetë unike në shije.
Përbërësit:
- 800 g patëllxhan
- Degë trumze dhe rozmarine sipas dëshirës
- 2 thelpinj hudhër
- 20 g vaj ulliri
- Piper i zi dhe kripë për shije
Përbërësit për mbushjen:
- 100 g bollgur
- 250 g domate qershi
- 50 g kastravecë
- 40 g djathë
- 25 g selino
- 10 g vaj ulliri
- Borzikok për shije
Përgatitja:
Për të përgatitur këtë recetë, së pari pastroni patëllxhanët dhe pritini përgjysmë. Me anë të një thike krijoni prerje horizontale dhe vertikale në tulin e tyre.
Me një hudhër të prerë përgjysmë lyeni sipërfaqen e patëllxhanëve dhe spërkatini me piper dhe vaj. Sipër tyre vendosni degëzat me trumzë dhe rozmarinë.
Piqni patëllxhanët në një furrë të nxehur në 220 °, për 20 minuta.
Ndërkohë, lani domatet dhe kastravecët dhe pritini në kubikë.
Bëni të njëjtën gjë edhe me selinonë dhe në fund bashkojini perimet në një tas dhe lërini mënjanë.
Pasi patëllxhanët të jenë gati hiqni barishtet aromatike, mbulojini me letër alumini dhe piqni përsëri për 10 minuta të tjera.
Vazhdoni me zierjen e bollgurit. Shtojeni atë në ujë të vluar me kripë dhe gatuajeni për 10 minuta, ose ndiqni kohën e treguar në paketim.
Pasi patëllxhanët të jenë pjekur, përpiquni të hiqni tulin me ndihmën e një luge, duke e mbledhur në një tas.
Bashkoni tulin e patëllxhanëve dhe perimet e prera, duke shtuar gjithashtu gjethet e borzilokut dhe bollgurin.
Së fundi spërkateni me pak vaj dhe përziejini mirë të gjithë përbërësit.
Mbushni patëllxhanët e zbrazur me përzierjen e bollgurit dhe perimeve, më pas shtoni djathë të thërrmuar dhe pak piper të grirë.
Nëse dëshironi, mbushjen mund ta pasuroni me fruta të thata si bajame ose arra pishe.
Patëllxhanët e mbushur mund të ruhen në frigorifer deri në një ditë./AgroWeb.org