Reçel Shtëpie me Mana të Zinj – Receta e Ëmbël dhe e Shpejtë

1.7k 0

Gatimet më të mira e më të shijshme janë ato që përgatiten vetë në shtëpi.

Aq më tepër kur bëhet fjalë në përgatitjen e reçelrave të ndryshëm.

Stina e verës është idealja për përgatitjen e kësaj recete për shkak të frutave fantastike që ajo na ofron përmes natyrës.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë përgatitjen e thjeshtë të reçelit me mana të zinj.

Një recetë e ëmbël dhe fantastike që do shoqërojë në mënyrë të shkëlqyer mëngjeset tuaja por edhe do t’ju ëmbëlsojë pasditeve.

Reçeli me mana të zinj mund të përdoret edhe në përgatitjen e recetave të ndryshme ëmbëlsirash siç janë zupat e shtëpsë, akulloret por edhe keku me fruta.

Përgatitja e Reçelit me Mana Të Zinj

Përbërësit 

  • 1 kg mana te zinj
  • 800 gr sheqer
  • Lëngu i shtrydhur i një kokrre limoni

Përgatitja 

Si fillim pastrojmë manat e zinj nga bishtat dhe i shpëlajmë me ujë të rrjedhshëm.

Më pas, i vendosim në një kullesë në mënyrë që t’u largohet uji.

Shtrojmë një shtresë me mana te zinj në tenxhere, një shtresë me sheqer, e kështu me radhë derisa masat e sheqerit dhe manat e zinj të mbarojnë.

I lëmë të pushojnë përreth 24 orë në frigorifer (jo në ngrirje) mënyrë që manat të lëshojnë lëngun e tyre.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni tenxheren në zjarr të ngadaltë.

Gjatë përgatitjes së reçelit së manave të zinj nuk duhet të hidhni ujë pasi manat kanë lëngun e tyre.

Gjatë zierjes duhet të bëni kujdes që të largoni shkumën që do të krijohet në sipërfaqen e tenxheres.

Do ta zieni deri në 30 minuta apo edhe pak më shumë derisa lëngu i reçelit të trashet.

Pak para se ta heqim tenxheren nga zjarri shtojmë lëngun e limonit, e trazojmë me kujdes për pak sekonda dhe e largojmë nga zjarri.

E lëmë të ftohet dhe e vendosim në kavanoza të sterilizuar dhe i vendosim në frigorifer./AgroWeb.org