Një recetë fantastike, e cila vendos ndonjëherë amvisat përballë sfidës nëse do ta përgatisin apo jo ashtu siç duhet.
Por AgroWeb.org ju sjell më poshtë mënyrën ideale të përgatitjes së rostos në shtëpi.
Rosto shoqërohet në mënyrë fantastike me patate të pjekura, të skuqura por edhe me pure patatesh.
Por ajo shoqërohet gjithashtu me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, fërgesa të ndryshme shtëpi etj.
Përgatitja e Rostos së Shtëpisë
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
500 gr mish viçi tul
4 lugë gjelle vaj ulliri
5-6 thelpinj hudhra
1-2 kokrra qepë
1-2 karrota
Piper kokërr
1 lugë gjelle miell
Kripë
½ e gotës së ujit me verë të kuqe
Përgatitja
AgroWeb.org ju udhëzon se për përgatitjen e rostos së viçit duhet të merret pjesa e anëshme ose e jashtëme e kofshës.
Kjo pjesë e mishit pastrohet me kujdes përmes një thike të mprehtë nga cipat dhe damarët.
Më pas, mishi shpohet me thikë të hollë me majë në disa vende në të gjithë pjesën dhe mbushet në çdo vrimë me nga një thelpi hudhër, pak piper kokërr edhe kripë.
Pjesa e mishit vendoset në tavë, sipër mbulohet me qepë dhe karrota të grira, pak piper kokërr, kripë dhe vaji i ullirit.
Futet në furrë të piqet me 200 gradë përreth një orë e gjysmë. Gjatë procesit të pjekjes kujdesemi që mishin herë pas here ta spërkasim me lëngun e vet.
Kur të piqet kullohet nga lëngu dhe pritet në të kundërt të fijeve të mishit.
Skuqim në një tigan miellin me pak gjalpë dhe shtojmë aty lëngun e mbetur në tavën ku poqëm mishin dhe më pas roston e presim në feta feta e ndajmë në pjata dhe e spërkasim sipër me salcën e përgatitur.
Shënim: Gjatë pjekjes së rostos kur shteron lëngu duhet shuar me verë dhe më vonë shtohet pak ujë i nxehtë, me qëllim që mishi të ketë vazhdimisht pak lëng.
Kjo recetë është konsultuar me recetat e gatimit të mjeshtres së kulinarisë shqiptare Evgjeni Harrizi./AgroWeb.org