Specat e Pjekura Turshi – Tradita e Zahireve Shqiptare

2.1k 0

Me aromën e tyre fantastike, specat turshi lezetosin shijen e çdo gatimi në tryezat shqiptare.

Speca të kuq, të pjekur e të marinuar me uthull, limon, hudhër dhe vaj. Me siguri, ju shkon goja lëng kur i lexoni këto fjalë që përshkruajnë shkurtimisht një nga turshitë më të preferuara të shqiptarëve.

Janë ndër turshitë më të shijshme, të pasura me shumë vlera shëndetsore. Fantastike në shoqërimin e çdo lloj gatimi, nga pjatat e lehta të supave e gjellëve të ndryshme tek byrekët, tavat e shijshme shqiptare apo mishrat e ndryshëm.

Janë turshitë që lezetosin me aromën e tyre fantastike çdo tryezë shqiptare e që pasurojnë menunë e çdo restoranti që në larminë e gatimeve të tij ka shijen fantastike të traditës shqiptare.

AgroWeb.org sjell më poshtë dy mënyra në përgatitjen e specave të pjekur turshi.

Gjatë përgatitjes së këtyre turshive mund të përballeni me disa mundësi. Nëse preferoni ruajten afatgjatë të specave të pjekur turshi, hapi i parë është që të merrni një tenxhere të madhe, gjysmën e së cilës ta mbushni me ujë.

Në fund të tenxheres vendosni një skarë metalike dhe ta vendosni në zjarr për të zierë, ndërkohë që ju përgatisni specat sipas recetave të mëposhtme.

Metoda e pjekjes në furrë

Skarën e sobës vendoseni sa më pranë pjesës së sipërme të furrës. Specat spërkatini me vaj ulliri që të piqen sa më shpejt. Temperatura e sobës duhet të jetë e lartë. Specat mund t’i vendosni ose në një tepsi ose në një letër pjekje.

Menjëherë sapo të vini re nxirje dhe çarje të lëkurës së specave kthejini nga ana tjetër që të garantoni një pjekje të njëjtrajtshme.

Metoda e pjekjes në sobë me gas

Nëse keni një sobë me gaz mund t’i piqni specat direkt aty duke përdorur skarën e furrës. Rrotullojini specat që të piqen në mënyrë të njëtrajtshme. Nëse keni furrë metalike, specat mund t’i piqni në një tigan deri sa lëkura e tyre të jetë përcëlluar.

Pas pjekjes vendosini në një enë dhe mbulojini me kapak. Avulli do të ndihmojë në heqjen e përshpejtuar të lëkurës së nxirë. Pas heqjes së lëkurës, prijini specat në gjysmë dhe hiqni farat, bishtat dhe kërcellin në majë.

Ngrohni në një tenxhere lëngun e limonit, uthullën e bardhë, vajin e ullirit, hudhrën dhe kripën. Lërini të ziejnë pak.

Kavanozët që do të përdorni për specat futini në skarën e vendosur në tenxheren e madhe të mbushur me ujë dhe sterilizojini. Më pas mbushini me specat dhe me lëngun e uthullës së nxehtë.

Çdo kavanoz duhet të ketë nga një hudhër. Lëreni sipërfaqen e kavanozit bosh, fshijeni grykën e tij me një leckë kuzhine të pastër dhe mbylleni kapakun normalisht por mos e shtrëngoni fort.

Në këtë pikë, kavanozët mund të ruhen në frigorifer për disa javë. Nëse dëshironi t’i ruani më gjatë, atëherë vendosni doreza kuzhine dhe vendosini kavanozët në ujin e valuar në tenxheren e madhe dhe lërini të mbulohen me ujë.

Ziejini kavanozët për 15 minuta. Hiqini nga tenxherja dhe lërini të ftohen plotësisht. Mbyllja hermetike e kavanozëve shoqërohet me një zhurmë karakteristike.

Në këtë mënyrë specat qëndrojnë deri në një vit. Nëse nuk e dëgjoni zhurmën atëherë konsumojini specat brenda disa javësh.

Përbërësit

1.5 kg speca të kuq të freskët, të fortë e të freskët

1 gotë me lëng limoni

2 gota me uthull të bardhë

1 gotë me vaj ulliri dhe pak më shumë për pjekjen e specave

2 thelpinj hudhër të ndarë në katër pjesë

1 ½  lugë çaji me kripë

Kavanozë/AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.