Sufle – Keku Magjepsës me Zemër Çokollate

3.1k 0

Një ëmbëlsirë fantastike, e cila të magjeps e të përfshin tërësisht me shijen e saj.

Kërkon pak durim në përgatitje por rezultati i saj do t’ju kënaqë menjëherë nepsin dhe oreksin.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën unike të përgatitjes së suflesë me çokollatë në shtëpi. Një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

Përgatitja e Suflesë me Çokollatë

(Përbërësit më poshtë janë për 6-7 persona)

  • 150 gr çokollatë e zezë
  • 120 gr gjalpë i freskët
  • 120 gr sheqer pluhur
  • 3 kokrra vezë
  • 2 lugë gjelle me majë me miell gruri
  • 1 lugë çaji me vanilje
  • Gjysmë luge kafeje me kripë

Përgatitja

Në një tenxhere ose në procesin e njohur si banjo mari, shkrijmë çokollatën e zezë bashkë me gjalpin dhe e lëmë derisa masa të bëhet kremoze dhe e lëmë mënjanë.

Në një tas të thellë rrahim vezët, më pas shtojmë kripën, sheqerin pluhur dhe më pas miellin.

Në fund, pasi i përziejmë të gjitha shtojmë vaniljen.

E përziejmë të gjithë masën mirë në mënyrë që të mos mbeten kokërriza.

Pasi masa të jetë bërë tërësisht kremoze shtojmë çokollatën e shkrirë me gjalpë dhe e përziejmë mire në mënyrë që brumi të bëhet homogjen.

Më pas, masën e shtojmë në tasat e aluminit, në mungesë të tyre mund të përdorni kupa qelqi zjarr duruese.

AgroWeb.org ju këshillon të bëni kujdes kur të mbushni tasat me brumin e përgatitur, mbushja duhet të jetë në masën e ¾ e tasit.

Futini për t’i pjekur në furrën e parangrohur në 180 gradë celcius.

Lërini të piqen për maksimumi 15 minuta derisa sipërfaqja e suflesë të ngurtësohet pak. Më pas largojini menjëherë nga furra në mënyrë që çokollata brenda ëmbëlsirës të qendrojë e shkrifët.

Kombinimi i Suflesë me Fruta dhe Akullore

Megjithëse është fantastike edhe pa u shoqëruar me të tjerë përbërës, sufleja me çokollatë kombinohet në mënyrë fantastike me fruta të ndryshme.

Ajo mund të serviret me feta frutash të freskëta, siç janë luleshtrydhet, mollët apo edhe bananet.

Ose mund të përgatisni një miks frutash dhe të servirni disa prej tyre bashkë me suflenë e çokollatës.

Sufleja shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer edhe me akullore me shije të ndryshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.