Kuzhina tradicionale shqiptare është e pasur me receta ku përbërësi kryesor janë patatet.
Të pjekura në furrë me mishra të ndryshëm, të përgatitura në formën e qofteve, puresë, pjesë e gjellëve e suprave të ndryshme pa dyshim shija e tyre në çdo gatim është fantastike po aq sa edhe vlerat e tyre ushqyese.
Të përgatitura në formën e supës krem, ato krijojnë një pjatë të lehtë dhe të shëndetshme ideale për një vakt dreke.
Një supë shije plotë e cila kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me më të mirat gatime të kuzhinës shqiptare siç janë byrekët e ngrohtë, turshitë e zahiretë e shijshme të nënave dhe gjysheve por sigurisht edhe me sallata të freskëta të stinës.
Më poshtë, AgroWeb.org u përcjell recetën e supës fantastike krem me patate, e cila mund të përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe është një mënyrë e shijshme dhe e shëndetshme për t’ia shërbyer gjithë familjes.
Përgatitja e Supës Krem Patate në Shtëpi
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- 1 l lëng mishi
- 1-2 karrota
- 2-3 lugë gjelle salcë të bardhë kosi
- 1 gotë uji me qumësht
- 500 gr patate
- 1 kokërr qepë
- Kripë
- 2-3 feta të holla bukë
Përgatitja
Qërojmë patatet me kujdes, i pastrojmë më ujë të bollshëm dhe i vendosim në një tenxhere me ujë të kripur që të zjejnë.
Pasi të kenë marrë një valë, shtojmë qepët e grira, karrotat e grira si dhe majdanozin.
I zjejmë derisa të bëhen gati, i kalojmë në kullesë dhe i shtojmë pak lëng.
Purenë e bashkojmë me salcë të bardhë dhe e përzjejmë në mënyrë që të mos ketë kokrra ose e kalojmë në mikser. I hedhim kripë dhe e zjejmë derisa të valojë.
Pastaj supën e rregullojmë me të verdhë veze të përzjerë me qumësht të nxehtë dhe gjalpë të freskët.
Kur shërbehet i hidhet bukë e bardhë e prerë në kubikë të vegjël dhe e skuqur në tigan me gjalpë ose në furrë./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje