Supë Krem Patate – Tradita Shqiptare e Drekës së Lehtë

2.7k 0

Kuzhina tradicionale shqiptare është e pasur me receta ku përbërësi kryesor janë patatet.

Të pjekura në furrë me mishra të ndryshëm, të përgatitura në formën e qofteve, puresë, pjesë e gjellëve e suprave të ndryshme pa dyshim shija e tyre në çdo gatim është fantastike po aq sa edhe vlerat e tyre ushqyese.

Të përgatitura në formën e supës krem, ato krijojnë një pjatë të lehtë dhe të shëndetshme ideale për një vakt dreke.

Një supë shijeplotë e cila kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me më të mirat gatime të kuzhinës shqiptare siç janë byrekët e ngrohtë, turshitë e zahiretë e shijshme të nënave dhe gjysheve por sigurisht edhe me sallata të freskëta të stinës.

Më poshtë, AgroWeb.org u përcjell recetën e supës fantastike krem me patate, e cila mund të përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe është një mënyrë e shijshme dhe e shëndetshme për t’ia shërbyer gjithë familjes.

Përgatitja e Supës Krem Patate në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 1 l lëng mishi
  • 1-2 karrota
  • 2-3 lugë gjelle salcë të bardhë kosi
  • 1 gotë uji me qumësht
  • 500 gr patate
  • 1 kokërr qepë
  • Kripë
  • 2-3 feta të holla bukë

Përgatitja

Qërojmë patatet me kujdes, i pastrojmë më ujë të bollshëm dhe i vendosim në një tenxhere me ujë të kripur që të zjejnë.

Pasi të kenë marrë një valë, shtojmë qepët e grira, karrotat e grira si dhe majdanozin.

I zjejmë derisa të bëhen gati, i kalojmë në kullesë dhe i shtojmë pak lëng.

Purenë e bashkojmë me salcë të bardhë dhe e përzjejmë në mënyrë që të mos ketë kokrra ose e kalojmë në mikser. I hedhim kripë dhe e zjejmë derisa të valojë.

Pastaj supën e rregullojmë me të verdhë veze të përzjerë me qumësht të nxehtë dhe gjalpë të freskët.

Kur shërbehet i hidhet bukë e bardhë e prerë në kubikë të vegjël dhe e skuqur në tigan me gjalpë ose në furrë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.