Shegët janë pa kurrfarë dyshimi, një ndër frutat më mirëbërës për shëndetin e njeriut.
Mund t’i quajmë pa frikë ‘super fruta’ sepse janë të pasura me antioksidantë të jashtëzakonshëm të cilët luftojnë shenjat e para të plakjes dhe gjurmët e saj në lëkurë.
Për këtë arsye, por jo vetëm, shumë njerëz i referohen pemës së shegës si ‘pema e jetës.’
Në industrinë e kozmetikës, shega është një nga frutat më të përzgjedhur për krijimin e produkteve të mira për lëkurën.
Megjithatë, secila prej nesh nuk ka nevojë të paguajë qimet e kokës për një krem, kur të mirat e shegës mund t’i përfitojë lehtë dhe për më tepër, lirë.
Le të kalojmë tek vaji i ullirit, një ushqim fantastik i pasur me vitamina, minerale e antioksidantë që jo vetëm ulin kolesterolin dhe mbrojnë shëndetin e zemrës por i bëjnë mirë edhe lëkurës.
Vaji i ullirit shërben si një ushqyes natyral i mrekullueshëm për lëkurën.
Ai e hidraton atë në thellësi dhe nxjerr në pah shkëlqimin dhe gjallërinë e humbur të lëkurës.
Duke marrë në konsideratë këto vlera, ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë përdorimin e lëngut të shegës dhe vajit të ullirit për të luftuar shenjat e plakjes dhe për t’i dhënë lëkurës pamje dhe shkëlqim rinor e të shëndetshëm.
Maska Me Lëng Shege Dhe Vaj Ulliri
Për përgatitjen e kësaj maske ju nevojiten:
- 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër.
- 2 lugë gjelle lëng të freskët shege.
Përgatitja:
- Vajin e ullirit dhe lëngun e shegës përziejini së bashku në një enë qelqi.
- Lajeni fytyrën dhe zonën e qafës sipas rutinës tuaj të përkujdesjes për lëkurën.
- Për vendosjen e maskës ju nevojitet një furçë, me të cilën mund të siguroni një mbulim gjithëpërfshirës të fytyrës, qafës dhe zonës së dekoltesë.
- Maska duhet mbajtur për rreth 15 minuta.
- Më pas, përdorni pambuk të lagur për ta hequr atë nga lëkura.
- Pas maskës, sigurohuni të lyeni fytyrën me kremërat tuaj ushqyes dhe hidratues./AgroWeb.org