Avokado për Imunitetin – Si ta Ruani në Mënyrën e Duhur

3.9k 0

Një nga frutat më fantastike për imunitetin është avokado. Po, avokado është frut dhe përshkruhet si kokërr frutore vajore.

Kjo pemë që përshkruhet si Pema e Jetës  është pjesë e të njëjtës familje me kanellën. Seriozisht.

E si kanella, avokado është aleati ynë më bujar në nevojën për imunitet të fortë, sidomos tani në këto kohë sfiduese për shëndetin fizik dhe mendor.

Një muaj më parë gjatë një forumi të World Avocado Organization, u mësua se gjatë karantinës dhe pandemisë, njerëzit në Evropë dhe më gjerë kanë rritur konsumin e avokados për të pasur një imunitet më të fortë.

Këtë vit, Evropa ka konsumuar 700,000 ton avokado, 100,000 ton më shumë se në 2019.

Në internet, kërkesat për receta me bazë avokadoje kanë qenë tepër të larta dhe blerjet më të mëdha janë regjistruar në Itali, një prej epiqendrave të COVID-19 në kontinent.

Fakt është se njerëzit duan të mbrojnë sa më shumë imunitetin dhe ku ka më mirë se avokado.

Mënyra e Saktë Për Ruajtjen e Freskisë Së Avokados 

Nëse dëshironi të ngadalësoni pjekjen e avokados futeni në frigorifer. Nëse dëshironi ta përshpejtoni atë, lëreni bashkë me një banane.

Nëse dëshironi ta ruani një gjysmë avokado në frigorifer, atëherë sigurohuni që bërthama të jetë e paprekur.

Gjysmën me bërthamë lyejeni në sipërfaqe me pak vaj ulliri, lëng limoni të verdhë ose jeshil që të parandalojë nxirjen e tulit dhe mbështilleni me letër plastike.

Ekspertët nënvizojnë se nxirja e sipërfaqes së avokados nuk do të thotë që fruti është i pangrënshëm. Përkundrazi.

Përse Duhet Të Hamë Më Shumë Avokado Sot e Mot

Së pari, duhet të dini që trupi i njeriut ka nevojë për plot 22 amino acide që të mbijetojë.

Këto amino acide janë shtyllat kryesore të proteinave dhe, pa to, trupi nuk mund të grumbullojë proteina, të sintetizojë hormone apo transmetuesit nervorë.

Proteinat janë të pazëvendësueshme për flokët, lëkurën, thonjtë, kockat, muskujt, enët e gjakut, organet, gjakun dhe imunitetin.

Epo avokado përmban 18 nga këto 22 amino acide thelbësore.

Rrjedhimisht ky frut është një mënyrë e mirë për të fuqizuar sistemin imunitar. Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për imunitet të fortë ndaj duhet të hamë avokado përditë.

Ekspertët thonë se një gjysmë avokado ofron 19 miligramë glutathione, një substancë që shërben si një antioksidant shumë i fortë për ta ndihmuar imunitetin të funksionojë sa më mirë./AgroWeb.org