Gjalpi i Arrorëve – Mrekullia e Shëndetit të Mirë

2.2k 0

E kemi dëgjuar shpesh. Gjalpi është i dëmshëm, veçanërisht për shkak të niveleve të larta të kolesterolit.

Së fundmi, një trend i ri duket se kërkon të gjejë një zëvendësues të denjë për gjalpin e dëmshëm. Bëhet fjalë për gjalpin organik të frutave arrore si kikiriku, bajamet, arrat dhe shqemet (cashew).

A është i shëndetshëm gjalpi i frutave arrore? Përgjigjia është Po.

Gjalpi i frutave arrore është i mbushur me vitamina dhe minerale. Ai përmban sasi të mëdha proteinash, yndyrnash të shëndetshme dhe lufton kolesterolin e keq.

Për më tepër ai ndihmon në përpjekjet tuaja për të rënë në peshë. Shkëlqyeshëm apo jo?

Mbi të gjitha, ky gjalpë është i përshtatshëm për të gjitha kategoritë e njerëzve, përfshirë vegjetarianët dhe veganët, por edhe për fëmijët dhe të rriturit.

Megjithatë, pavarësisht vlerave fantastike të gjalpit të arrorëve duhet të keni parasysh dy gjëra shumë të rëndësishme.

Pikë së pari, arrorët mund të shkaktojnë alergji. Ndaj përpara se të provoni këtë gjalpë duhet të jeni plotësisht të sigurt që nuk vuani nga alergji të tilla.

Së dyti, gjalpi i arrave duhet konsumuar me kujdes dhe pa e tepruar për shkak të nivelit të lartë të kalorive.

Llojet e gjalpit të arrorëve dhe vlerat e tyre

Gjalpi i kikirikut

Është e çuditshme, por kikirikët në fakt nuk janë arrorë, por legume, pra bëjnë pjesë në familjen e bishtajoreve.

Gjalpi organik i kikirikut është një burim i jashtëzakonshëm proteinash, antioksidantësh, yndyrna të pangopura që janë të shëndetshme për zemrën, vitamina B, E, acid folik, bakër, mangan dhe fosfor.

Ai ndihmon në ruajtjen e shëndetit të zemrës, ul rrezikun e diabetit, ndihmon me rënien në peshë dhe të jep shumë energji.

Gjalpi i bajameve

Bajamet konsiderohen si frutat arrore më të shëndetshme në botë. Ato kanë aftësi të ulin kolesterolin dhe rrezikun e zhvillimit të diabetit.

Gjalpi i bajameve përmban bakër, fosfor, mangan, zink, proteina, dhe yndyrna poli-të-pangopura dhe mono-të-pangopura.

Gjalpi i  shqemeve

Gjalpi i arrave të shqemes parandalon formimin e gurëve në tëmth, ul rrezikun e shtimit në peshë, i jep fuqi metabolizmit, tonifikon lëkurën dhe muskujt dhe mban kockat të shëndetshme.

Ky gjalpë përmban fosfor, zink, bakër dhe më pak yndyrna në krahasim me të tjerët

Gjalpi i arrave

Gjalpi i arrave ndihmon në forcimin e sistemit kardiovaskular, përmirëson funksionet e trurit, ul rrezikun e diabetit dhe lufton inflamacionin.

Ai përmban sasi të larta të acideve yndyrore Omega-3 në krahasim me të tjerët por edhe shumë bakër, mangan, biotinë, vitamin B, proteina dhe yndyrna mono-të-pangopura.

Proçesi i përgatitjes së gjalpit të arrorëve

Hapi i parë: Merrni një filxhan me fruta arrorë sipas dëshirës suaj dhe shtoni pakëz kripë deti.

Hapi i dytë: Hidhini në pajisjen grirëse dhe përzjejini deri sa të transformohen në një masë të butë ose pak krokante në varësi të preferencës.

Nëse procesori i ushqimit ju shkakton probleme në përzierjen e arrave apo farave shtoni pak vaj arre kokosi ose ulliri që e gjithë përzierja të shkojë më butë.

Mjaftojnë vetëm katër minuta për të përgatitur gjalpin tuaj të preferuar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.