Krundet – Më të Pasurat me Vlera mes Drithërave

1.3k 0

Një shprehje e lashtë popullore thotë “kur nuk ke miell, ha krundet”, por në kohët moderne rezulton që ashtu si edhe në rastin e hirrës që është më e mirë se kosi, më mirë të hash krunde se sa miell për shkak të vlerave që ato sjellin.

Çfarë janë krundet?

Krundet janë shtresa e jashtme e drithit që prodhohet pas procesit të përpunimit të tij. Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se përkundër nënvlerësimit që kjo kokërr e vogël drithi ka pësuar ndër vite, krundet kanë në të vërtetë një sërë vlerash të rëndësishme shëndetësore.

Krundet, e grurit apo drithërave të tjerë, janë një ushqim jashtëzakonisht i shëndetshëm. Ato jo vetëm që ofrojnë një dozë të fuqishme fibrash por ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut. Krundet mbështesin sistemin imunitar me vitamina dhe minerale. Krundet mund t’i gjeni të paketuara në dyqane apo supermarkete, njëlloj siç gjendet edhe tërshëra.

Më poshtë do të gjeni pesë arsyet se përse duhet të konsumoni më shumë krunde në ushqimin tuaj.

Ndihmojnë në zëvëndësimin e ushqyesve të humbur

Gjatë ditës ne konsumojmë shumë miell të bardhë, jo vetëm nga buka, por edhe nga makaronat dhe produktet brumore të pjekura. Kur mielli përpunohet, shumica e pjesëve ushqyese të tij hidhen së bashku me vitaminat dhe mineralet.

Nëse zgjidhni të konsumoni drith të plotë dhe të papërpunuar ju do të përfitoni vitaminat e kompleksit B, hekur, zink dhe ushqyes të tjerë të nevojshëm.

Ofrojnë një paketë të pazëvëndësueshme fibrash

Një nga karakteristikat më të veçanta të krundeve është se ato janë jashtëzakonisht të pasura me fibër. Rrjedhimisht, kjo i bën ato plot vlera në lehtësimin e procesit të tretjes dhe kundër problemeve me konstipacionin. Kjo është një arsye themelore përse duhet t’i përfshini krundet në ushqimin tuaj.

Krundet janë të dobishme veçanërisht për njerëzit që mbajnë dietë ose që vuajnë nga mbipesha, sepse ato ngadalësojnë procesin e përthithjes së ushqyesve, por edhe mbajnë oreksin nën kontroll dhe rrisin kohëzgjatjen e ndjesisë së ngopjes. Në një gjysmë filxhani me krunde do të keni 11 gramë fibër, një sasi e jashtëzakonshme për të plotësuar nevojat ditore.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se meshkujt kanë nevojë për 38 gramë fibër në ditë ndërsa femrat kanë nevojë për 25 gramë fibra në ditë. Një tjetër karakteristikë e krundeve është se ato kanë pak kalori. Në një gjysmë filxhani me krunde merrni vetëm 58 kalori. Për të përfituar të njëjtën sasi fibrash që gjenden në një gjysmë filxhani me krunde, do të duhet të hani katër copa e gjysmë me bukë të përgatitur nga drithi i plotë, por nga ana tjetër do të merrni 385 kalori.

Janë të pasura me magnez

Krundet janë një nga burimet ushqimore më të pasura me magnez. Në një gjysmë filxhani me krunde do të përfitoni të paktën gjysmën e dozës së rekomanduar ditore të magnezit. Ky mineral ndihmon muskujt dhe nervat, mban rrahjet e zemrës në nivele të rregullta dhe forcon kockat. Për më tepër, magnezi normalizon tensionin e gjakut dhe mbështet të gjithë sistemin imunitar.

Luftojnë aneminë

Njerëzit që vuajnë nga anemia ose pamjaftueshmëria e hekurit duhet të konsumojnë krunde. Kjo pjesë e rëndësishme e drithit përmban sasi të konsiderueshme të këtij minerali të nevojshëm. Për të njëjtën arsye, krundet duhet të konsumohen nga njerëzit që merren me punë ose aktivitete fizike të cilët kanë nevojë për shumë hekur.

Ulin kolesterolin

Krundet janë të pasura me acide yndyrore të pangopur. Rrjedhimisht ato rrisin kolesterolin e mirë dhe parandalojnë sëmundjet kardiovaskulare. Krundet përmbajnë antioksidantë që mund të parandalojnë një sërë sëmundjesh kronike, madje forcojnë qelizat e trupit.

Kujdes

AgroWeb.org ju sugjeron t’i konsumoni krundet me kujdes. Ju nuk duhet të kaloni masën e 20-30 gramë krunde në ditë, sepse nëse e teproni atëherë do të keni efekte anësore në sistemin tretës siç janë diareja dhe fryrjet në stomak. Krundet mund t’i përfshini në qumësht, kos, lëngje frutash, sallata etj, por gjithnjë sugjerohet të pini shumë ujë./AgroWeb.org