Para se ta Blini – Si të Dalloni Nëse Mishi i Pulës Është i Freskët

3.1k 0

Mishi i pulës është po aq i përdorur në recetat e gatimeve të ndryshme sa dhe mishi i kuq. Por ndryshe nga mishrat e tjerë ai prishet më lehtë.

Nëse ju konsumoni mishin e pulës i cili ka filluar të prishet apo është prishur, bakteret e rrezikshme për organizmin tonë, sulmojnë qelizat e trupit dhe pasojat shpesh janë dhe të rënda.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoheni të kujdesshëm kur blini mishin e pulës.

Tregohuni të vëmendshëm për ngjyrën, erën dhe mykun, si dhe mënyrën se si ai është paketuar.

Kini kujdes ngjyrën

Mishi i freskët i pulës ka një ngjyrë të lehtë rozë. Kur fillon të prishet kjo ngjyrë fillon dhe zbardhet, deri sa arrin në të hirtë.

Nëse keni disa ditë që e keni blerë mishin e pulës dhe ai ka filluar të humbasë ngjyrën karakteristike, bëni mirë që ta gatuani para se të prishet.

Por nëse është më shumë i hirtë, atëherë është tepër vonë.

Nëse ju nuk arrini ta kuptoni ndryshimin e ngjyrës, në momentin që do ta gatuani, do të vini re se mishi i pulës do të zbardhet shumë më vonë se zakonisht.

Kur diçka e tillë ndodh, AgroWeb.org ju sugjeron që është më mirë të mos e konsumoni.

Mbajini erë

Mishi i gjallë i pulës ka një aromë të fortë karakteristike.

Disa e përshkruajnë si një erë të hidhur, ose e lidhin me erën e amoniakut.

Nëse mishi pasi e keni nxjerrë nga ngrirja lëshon këtë lloj arome të fortë, bëni mirë të mos e përdorni.

Pula mund të fillojë të lëshojë aromën e saj kur gatuhet, AgroWeb.org ju këshillon që nëse aroma nuk është ajo që ju jeni mësuar zakonisht kur e gatuani, të mos e konsumoni.

Fortësia e mishit

Kjo provë është pak më e vështirë se dy të tjerat, pasi mishi i pulës në gjendjen e tij normale është pak më i butë dhe i ngjitshëm kur e prekim.

Por mënyra më e thjeshtë që AgroWeb.org ju sugjeron është që ta shpëlani mishin e pulës, dhe nëse ai vazhdon të jetë i ngjitshëm kur e prekni, atëherë ka shumë mundësi që të jetë prishur.

Paketimi

Nëse e blini të paketuar, veprimi i parë është që të kontrolloni datën brenda të cilës ajo pako duhet shitur.

Zakonisht mishi i pulës kur paketohet i freskët dhe vendoset në ngrirje, mund të zgjasë deri në nëntë muaj.

Por problemi qëndron se faza e ngrirjes nga paketimi dhe deri tek marketet e më pas në frigoriferët e shtëpive tona, ka shumë shkëputje.

Ngrirja dhe shkrirja e shpeshtë e mishit të pulës, ndikon shumë në freskinë e tij.

Një faktor tjetër që ndikon në përshpejtimin e prishjes së mishit të pulës pasi ai është në ngrirje, është kontakti me ajrin.

Një paketim me mish pule i cili në brendësinë e tij ka filluar të krijoj shtresa akulli, dhe mishi të ketë humbur ngjyrën rozë, ka filluar të prishet.

AgroWeb.org ju këshillon që kur të ngrini mishin e freskët të pulës të përdorni qese frigoriferi të cilat janë hermetike, ose t’i vendosni në tasa të vegjël hermetikë.

Në frigorifer, mishi i gjallë i pulës, duhet të përdoret brenda dy apo tre ditëve, ndërsa nëse është i gatuar mund të qëndrojë deri në katër ditë.

Në ngrirje, pula e gatuar mund të qëndrojë deri në katër muaj, ndërsa mishi i gjallë mund të qëndroj dhe për një vit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.