Pekmezi, Ëmbëlsuesi më i Mirë Natyral që Vjen nga Frutat

3.1k 0

Lëngu i ëmbël i pekmezit ka qenë pjesë e traditës shqiptare prej shekujsh. Ai është përdorur jo vetëm për t’i dhënë shije gatimeve tona, por edhe në mjekësinë popullore, duke qenë se pasuron gjakun dhe është i pasur me vitamina, minerale dhe antioksidantë.

Shqipëria është një vend me një kulturë dhe histori të pasur dhe me një traditë gatimi të larmishme. Në çdo cep të saj, gjen gatime unike ose ushqime të veçanta, dhunti që e bëjnë vendin tonë mjaft frymëzues për ata që duan të kënaqin shqisat. Lëngu i ëmbël që përgatitet nga zierja e frutave, ose siç e njohim ndryshe ‘pekmez’ është mjaft popullor dhe ka zënë një vend të pakundërshtueshëm në kuzhinën tonë.

Përgatitja e pekmezit nuk kërkon sheqer apo aditivë, që do të thotë se ky lëng është i ëmbël në mënyrë natyrale. Zakonisht pekmezi përgatitet nga zierja e rrushit, por nuk mbeten pas as fruta të tjerë siç janë: mollët, dardhat, shegët, kumbullat, manat dhe së fundmi harubi.

Gjatë vjeshtës, në çdo fshat të vendit, mblidhet rrushi dhe prej tij nxirret lëngu karakteristik. Lëngu i rrushit hidhet në kazanë bakri, ku përzihet dhe zihet deri sa të trashet në formën e mushtit. Pasi proçesi i gjatë i zierjes përfundon, lëngu vendoset në kavanozë dhe ruhet për stinën e dimrit.

Arti i fermentimit dhe ruajtjes është një praktikë standarte që ndiqet me përpikmëri gjatë verës dhe vjeshtës në shumicën e shtëpive shqiptare. Ndonjëherë, njerëzit e blejnë pekmezin edhe në dyqan, por në shumicën e kohës, ata preferojnë ta kenë të freskët në kushtet e shtëpisë, duke qenë se pekmezi kërkon fruta të freskëta dhe pasion.

Nëse e konsumoni në mëngjes, pekmezi mund t’ju japë shumë energji për gjithë ditën. Shija e tij mund të ngjasojë me atë të mjaltit dhe gjalpit të kikirikut, por të një niveli më superior. Pekmezi mund të shijohet në shumë trajta të ndryshme. Ai përdoret në ëmbëlsira si zëvëndësues natyral i sheqerit në proçesin e pjekjes.

Përpara takimit të parë me sheqerin, shqiptarët ëmbëlsonin gatimet e tyre me pekmez ose mjaltë. Edhe pas zbulimit të sheqerit, tradita e përdorimit të pekmezit nuk u shua. Ai është i pasur me hekur, kalcium, kalium dhe plot vlera ushqimore e mjekësore falë përmbajtjes së lartë të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve. Si rrjedhojë, pekmezi është i këshillueshëm për njerëzit që janë diagnostikuar me anemi, por edhe për fëmijët, punëtorët dhe atletët që kanë nevojë për energji. Sheqeri që përmban pekmezi përthithet direkt në gjak, ndaj diabetikët duhet ta shmangin atë.

Nëse keni të ftohtë pini pekmez që të shtojë qarkullimin e gjakut. Nëse ndiheni të dobët apo të sëmurë, përzieni me ujë të ngrohtë dhe konsumojeni si tonik. Pekmezi është sinonim i të mirëeuml;s dhe një kurë fantastike për të ftohtin dhe gripin.

Pjesë e traditës ushqimore të Shqipërisë, pekmezi duhet të zërë vend në kuzhinën tuaj jo vetëm kundër sëmundjeve por edhe si një suvenir i çmuar për ata që prisni dhe përcillni./AgroWeb.org