Qofte me Gjizë të Pjekura në Furrë – Të Buta e të Shëndetshme

2.4k 0

Të gjithë jemi në kërkim të recetave të shpejta dhe që nuk kërkojnë shumë mund në përgatitje.

E tillë është dhe receta që AgroWeb.org ju sugjeron sot.

Qoftet gjithmonë i imagjinojmë me perime ose mish, dhe djathin apo gjizën i kemi shtuar sa për shije.

Por ia që mund të përgatisni dhe qofte shumë të shijshme me gjizë.

Me pak përbërës dhe të shëndetshme, duke qenë se piqen në furrë, këto qofte janë perfekte.

Përbërësit

200g gjizë

90g proshutë (nëse nuk e dëshironi mund të mos e përfshini në recetë)

1 lugë gjelle me djathë të thërrmuar

250 ml ujë ose qumësht

1 vezë

Bukë të thekur të thërrmuar

Kripë

Piper të zi

Përgatitja

Për të përgatitur qoftet e shijshme me gjizë, AgroWeb.org ju sugjeron që në një tas të bashkoni gjizën dhe vezën.

Tani është radha e erëzave, nëse dëshironi spec djegës apo piper të kuq mund ta shtoni.

Më pas hidhni proshutën të cilën e keni prerë hollë, ujin apo qumështin dhe në fund djathin.

Përzjejini që të gjithë përbërësit derisa të keni formuar brumin e qofteve.

Mos u shqetësoni nëse masa është pak e ujshme, AgroWeb.org ju kujton që ende nuk keni shtuar bukën e thekur.

Filloni të shtoni nga pak, gjithmonë duke përzierë masën e qofteve.

Kur masa të jetë e plotë dhe të mos ngjitet në duar atëherë mos hidhni më bukë të thekur.

Merrni pak nga brumi me ndihmën e një luge dhe jepuni formën e qofteve me duar.

Vendosini qoftet në një tavë të cilën e keni shtruar me letër pjekjeje.

Spërkatini me pak vaj ulliri në sipërfaqen e tyre.

Piqni në furrë të ngrohur me 180 gradë për rreth 30 minuta, ose derisa të kenë marrë një ngjyrë të artë.

Pasi t’i hiqni nga furra, lërini pak të ftohen dhe shërbejini të ngrohta./AgroWeb.org