Mëngjeset e ngrohta dhe të shijshme janë gjithnjë një ide e mirë.
E tillë është edhe receta e syltjazhit me tërshërë dhe turmerik, e cila padyshim që do t’ju kënaqë nepsin.
Turmeriku, kjo erëz magjike që është përdorur në Indi për gati 4000 vjet dhe ka fituar popullaritet në të gjithë botën, do të jetë çelësi i sekretit të kësaj pjate.
AgroWeb.org ju njeh me recetën e lehtë dhe të shpejtë me anë të së cilës mund të përgatisni një vakt perfekt.
Përbërësit:
- 1 gotë tërshërë
- 1 majë luge kripë
- 1 lugë gjelle uthull molle sipas dëshirës
- 1 ½ gotë me ujë
- 1/2 filxhan qumësht ose qumësht kokosi
- 2 lugë çaji me Turmerik dhe erëza sipas dëshirës
Përgatitja
Për të përgatitur recetën filloni duke e lënë tërshërën në ujë përgjatë natës ose për të paktën 6 orë para gatimit.
Kjo do të bëjë që syltjazhi të jetë sa më kremoz, koha e gatimit më e shkurtër dhe tretja më e lehtë për stomakun tuaj.
Tërshëra më pas kullohet dhe hidhet në një tenxhere mesatare në të cilën do të shtoni ujin dhe qumështin.
Lëreni të vlojë në zjarr të lartë. Pasi të arrihet vlimi zvogëloni nxehtësinë, mbulojeni me kapak dhe gatuajeni për 15-20 minuta ose derisa tërshëra të zbutet dhe lëngu të përthithet pothuajse plotësisht.
Nëse tërshëra duket e thatë ose ngjitet në fund të tenxheres, ju mund të shtoni pak më shumë qumësht ose ujë.
Pas kësaj është momenti të shtoni një kombinim të erëzave anti-inflamatore si turmeriku, xhenxhefili, kanella, piper i zi dhe ëmbëlsojëni me shurupin e panjës. Nëse dëshironi ju mund të shtoni edhe arrëmyshk dhe karafil.
Në fund shtoni edhe pak shurup panje dhe nëse dëshironi vazhdoni duke e zbukuruar me shegë, ose pak gjalpë kokosi.
Syltjazhi mund të në frigorifer deri në 3-4 ditë dhe ju mund ta ngrohni përsëri në sobë ose në mikrovalë, duke shtuar më shumë ujë ose qumësht për ta holluar.
Nëse e provoni këtë recetë, lini një koment për të dhënë vlerësimin tuaj por gjithashtu ndajeni edhe për miqtë tuaj.