AgroWeb në Finlandë – Përzgjidhet Përfaqësuese e Medias Shqiptare në Takimin e Ministrave të Bujqësisë së BE-së

643 0

Mbi 73 përqind e territorit e gjelbëruar me pyje. Pothuajse gjithçka Bio, që nga ushqimi e deri te karburanti. Fermat me gjedhë që ushqehen të lira në natyrë.

Autobusë me biokarburant, me valë wi-fi dhe vende për karikim celulari. Po flasim për vitin 3019? Jo, po flasim për Finlandën, vendin e parë në klasifikimin botëror për mirëqenien dhe standardin e jetesës, vendi që në 2018 u klasifikua më i lumturi në botë.

Helsinki, kryeqyteti i Finlandës, u zgjodh pikërisht për Takimin informal të Ministrave të Bujqësisë së vendeve të BE-së, për të folur rreth temës thelbësore të mjedisit, politikave të BE-së CAP (Politikat e Përbashkëta Bujqësore) për ndryshimet klimatike dhe emetimin e gazrave në mjedis. Finlanda ka presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, dhe qeveria finlandeze ka mjedisin prioritet mbi prioritetet.

AgroWeb.org u përzgjodh nga autoritetet finlandeze si e vetmja media për të përfaqësuar mediat shqiptare në këtë takim.

AgroWeb.org ishte mes 11 mediave evropiane prestigjioze si AFP Finlandë, Agjensia EFE Bruksel dhe media nga Greqia, Polonia, Rumania e Ballkani, të zgjedhura për profesionalizmin, besueshmërinë, vërtetësinë e lajmeve dhe impaktin te lexuesit.

Impakti i parë – Aeroport i Pastër? Sigurisht!

“I Pastër? Sigurisht. Ndodheni në një aeroport me neutralizim të karbonit. A e dini se autobusat në aeroportin e Helsinkit lëvizin me karburant të rinovueshëm që reduktojnë emetimin e gazrave me 90%? Në fakt të gjithë aeroportet e Aviacionit Civil të Finlandës do të jenë me neutralizim karboni që nga viti 2019. Çdo detaj i shtohet Shumës së Veprimeve të Mira.”

Poster në aeroportin e Helsinkit mbi naftën e rinovueshme përdorur nga automjetet e aeroportit. Foto: AgroWeb

Ky poster me këtë mbishkrim të shfaqet sapo shkel në aeroportin e Helsinkit. Dhe kuptohet që ke ardhur në një botë tjetër, botën e kujdesit për mjedisin dhe njeriun.

Shuma e Veprimeve të Mira është strategjia e aktiviteteve të përgjegjësisë sociale të aviacionit të Finlandës që lidhet me impaktin e veprimtarisë së Aviacionit në shoqëri dhe mjedis.

Një Ditë Bio

Pothuajse gjithçka në këtë vend është e lidhur me mjedisin dhe këtë e kupton edhe në badges, pra etiketat identifikuese që u shpërndanë gazetarëve, etiketa të prodhuara me shishe plastike të ricikluara.

Me një autobus sigurisht me biokarburant, ku nuk mungonin valët e internetit gjatë të gjithë udhëtimit, gazetarët e ftuar përfshirë AgroWeb.org, nisën ditën e parë të aktivitetit me vizita në ferma, pyje, pika biokarburanti e qendra shkencore kërkimore për mjedisin, nën shoqërimin e këndshme të Pekka Väisänen, Shef i komunikimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Pyjeve, Finland.

Neste – lideri global i rafinimit të naftës së rinovueshme

Në një shtet kaq miqësor me mjedisin sigurisht ndalesa e parë në Neste, prodhuesi më i madh në botë i rafinimit të naftës së rinovueshme prodhuar nga mbetjet.

Dr. Petri Lehmus, VP R&D gjatë prezantimit të punës së Neste. Foto: AgroWeb

‘Të bëjmë më shumë me më pak e t’i lëmë fëmijëve një planet më të shëndetshëm’, është misioni i kësaj kompanie.

Me rreth 5400 profesionistë të dedikuar kjo kompani operon në 14 shtete në botë. Ku 80% e karburanteve janë prodhuar nga mbetjet. Në 2018 këto produkte ndihmuan në reduktimin e emetimit të gazit me 7.9 milion ton.

Rafineritë e Neste ndodhen në Finlandë, Holandë dhe Singapor me prodhim prej 2.9 milion ton në vit dhe parashikohet të shkojë në 4.5 milion ton në vit gjatë 2022-shit.

Në prezantimin e bërë në Neste, u shpjegua ndër të tjera se qëllimi është përdorimi edhe i mbetjeve plastike si lëndë e parë për karburante. Objektivi; të zëvendësojmë pjesërisht naftën bruto si lëndë e parë duke përpunuar në vit më shumë se një Million ton mbetje plastike deri në vitin 2030.

Pyetjes së AgroWeb.org se a është ndërgjegjësimi i njerëzve në nivel po aq të lartë të punës së NESTE, pra a ka reagim për të përdorur biokarburantet, përfaqësuesi i Neste, Dr. Petri Lehmus iu përgjigj se:

‘Keni të drejtë. Kjo është një prej sfidave më të mëdha. Kemi bërë shumë punë për ndërgjegjësimin dhe ai ka ardhur në rritje. Ky karburant kushton pak më shumë por njerëzit po e kuptojnë pak nga pak që është karburanti më i mirë për shëndetin e të gjithëve.’

Pas Neste-s, vizita vijon në një fermë 300 vjeçare, Ferma Organike Toukola e bulmetit, e cila për habinë e të gjithëve drejtohej nga dy të rinj, Aino dhe Mikalel Wathen 36 dhe 39 vjeç me 4 fëmijë.

Fermat organike

Ata janë gjenerata e 11-të që punon e drejton fermën Toukola. Ferma ka 51 lopë që kullosnin në 87 hektarë livadhe të gjelbra e nuk kish vend për dyshime nëse ushqeheshin shëndetshëm për të prodhuar qumësht të cilësisë më të lartë. Secila prej lopëve prodhon rreth 903 litra në vit, por kjo fermë mbledh edhe prodhim nga fermerët e zonës e 40% shkon për eksport.

Aino dhe Mikalel Wathen, Ferma Organike Toukola e bulmetit. Foto: AgroWeb

Qumështi shitet në Valio, një kompani kooperativë, një prej kompanive më të mëdha në Finlandë.

Që prej Shkurtit të këtij viti lopët e kësaj ferme nuk konsumojnë asnjë ushqim me bazë soje, por vetëm me bazë barishtesh.

Çdo gjeneratë bën diçka inovative, diçka të re, thotë Aino. Kjo ka bërë që Ferma të rritet e t’i rezistojë kohës.

Finlanda është vendi i parë në botë për konsum qumështi, me konsumin e 361 litra për person në vit.

Gjelbërimi? Pyje Kudo!

Me 73 përqind të territorin pyje, Finlanda është vendi më i pyllëzuar në Evropë. Mbi 60 % e pyjeve është në pronësi private dhe numëron rreth 3700 pronarë.

Pyjet janë gjithashtu një përthithës shumë i mirë i karbonit. Në dekadën e fundit efekti përthithës i pyjeve të Finlandës i korespondon 30-50 përqind e totalit të gazit serë të emetuar nga ky shtet.

Hapësirat pyjore mbrohen me ligj të fortë, e për çdo pemë të prerë duhet mbjellë një pemë e re dhe për këtë edhe gazetarët përfshirë AgroWeb.org dhanë kontributin e tyre.

Gazetarët duke mbjellë pemë në pyjet në afërsi të Helsinkit. Foto: AgroWeb

Vizita vijon në Trans Farm furnizuesi më i madh botëror i farës cumin apo qimnon, në 40 vende, lideri global i furnizimit me fara cumin.

Dreka tek Ferma Knehtila e krijuar në 1796, e para fermë organike pa blegtori. Ferma ka një sipërfaqe prej 350 ha dhe ndodhet rreth 50 km nga Helsinki. Kjo fermë është në qendër të sistemit të prodhimit kooperativ, e bazuar në energji të vetë-prodhuar.

Ajo është e para e këtij lloji në Finlandë. Synon të prodhojë ushqim organik duke përdorur bioenergji dhe ushqyes të ricikluar.

Pika e Biogazit, Ferma Knehtila. Foto: AgroWeb

Aty gazetarët patën mundësi të shihnin pikën e furnizimit me biogaz me rreth 0.7 Euro për litër.

Një vizitë e fundit dhe darka në saunat në natyrë përmbylli ditën e parë, tipike finlandeze.

Përthithja dhe Depozitimi i Karbonit në Tokë – Zgjidhje Kryesore për Klimën

Sekuestrimi i karbonit nga ajri në tokë dhe masat e tjera që synojnë të zvogëlojnë emetimet e gazrave serrë në bujqësi kërkojnë fonde dhe fleksibilitet.

Me rreth 50 Miliard ton karboni të përthithur nga atmosfera dhe të depozituara në tokën bujqësore gjatë procesit të fotosintezës, sekuestrimi i karbonit konsiderohet si masë kryesore si në zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Disa nga tokat më të efektshme të depozitimit të karbonit janë tokat me kullota, si dhe toka bujqësore, veçanërisht tokat organike.

Praktikat të tilla si pyllëzimi, gjithashtu kanë një rol shumë të madh.

Pikërisht për të diskutuar për këtë temë Ministrat e Bujqësisë së vendeve të BE-së u mblodhen në 24 Shtator në Helsinki. Ky takim zhvillohet nën presidencën finlandeze të Bashkimit Evropian, ku AgroWeb.org ishte i përzgjedhuri i vetëm nga mediat shqiptare për të ndjekur këtë takim.

Nga e majta në të djathtë Komisioneri i BE për Bujqësinë Phil Hogan, Ministri finlandez i bujqësisë, Jari Leppä dhe Janne Impiö, Drejtor i Komunikimit, Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve, Finlandë në konferencë për shtyp. Foto: AgroWeb

“Synimi ynë është që Evropa të jetë pararojë e luftës kundër ndryshimit të klimës,” tha Ministri finlandez i bujqësisë Jari Leppä. Ai theksoi shpresën e Finlandës për të rritur ndërgjegjësimin për sekuestrimin e karbonit dhe për të inkurajuar vendet anëtare të ndërmarrin hapa konkretë në këtë drejtim.

Në konferencën e shtypit pas takimit informal me dyer të mbyllura, Komisioneri i BE për bujqësinë Phil Hogan dhe Ministri finlandez i bujqësisë Jari Leppä theksuan se ministrat e vendeve të BE-së ishin njëzëri dakord që masat për të përmirësuar qëndrueshmërinë e fermave kërkojnë fonde të mjaftueshme dhe stimuj të duhur.

“Jo gjithçka i përshtatet të gjitha shteteve,” tha Komisioneri i Bujqësisë Hogan, duke theksuar nevojën për të zgjedhur mjetin e duhur për secilin rajon të BE-së për të arritur qëllimet për klimën klimatike.

Teknologji në çdo detaj

Për herë të parë në takimin e Ministrave të Bujqësisë së vendeve të BE-së, ministrave dhe pjesëmarrësve në takim iu kërkua të ndajnë pikëpamjet e tyre përmes aplikimit celular të menti.com duke iu përgjigjur pyetjeve mbi sekuestrimin e karbonit dhe ndryshimit të klimës.

Për teknologjinë e avancuar por mbi të gjithë për pyjet, klimën dhe ajrin e pastër, ushqimin organik, saunat fantastike në natyrë, e madje edhe për çokollatat e famshme 100 vjeçare Fazer, Finlanda mbetet vendi parajsor i ëndrrave./AgroWeb.org