Agjencia e Barnave Konfirmon Zyrtarisht: OKi Duhet Të Merret Me Recetë

692 0

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore konfirmon zyrtarisht për AgroWeb.org se ilaçi i përdorur kundër dhimbjeve, OKi do të merret në farmaci vetëm përmes rekomandimit të mjekut.

Ky njoftim qartëson kështu konfuzionin e shkaktuar prej disa ditësh mes farmacistëve dhe qytetarëve mbi marrjen e kësaj barne.

Konkretisht, kërkesës zyrtare nga AgroWeb, për informacion mbi këtë çështje, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, iu përgjigj:

“Në lidhje me lajmin e publikuar “Më i Përdoruri Kundër Dhimbjeve – OKi Nuk Do Të Shitet Më Pa Recetë” ju bëjmë me dije se: nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore zbaton listën e barnave OTC të miratuar në fletoren zyrtare nr. 103 të vitit 2018 me URDHËR Nr. 501, datë 3.7.2018 “Për miratimin e listës së barnave që tregtohen pa recetë mjekësore në republikën e Shqipërisë”.

Bari “OKI” 80 mg është bar që shitet sipas përshkrimit të recetës së mjekut. Ndërkohë në listën e barnave OTC, janë 4 alternativa të tjera të cilat tregtohen pa recetën e mjekut.

Dozat e OKi duhet të merren sipas përcaktimit nga mjeku

Por në lidhje me këtë çështje sensitive, për AgroWeb.org ka reaguar edhe Roland Xhafaj, Menaxheri i Përgjithshëm i Dompe Albania, mbajtës i autorizimit për tregtim.

Xhafaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me informacionin e saktë që duhet t’u përcillet qytetarëve në lidhje me dozat e përdorimit të ilaçit OKi.

Barnat e markës OKi merren në farmaci me recetë mjekësore. Këto përdoren sipas një doze të përcaktuar nga mjeku bazuar në nevojat dhe karakteristikat e pacientit.

Theksojmë se barnat e markës Oki (të regjistruara në Shqipëri në formë-dozat: granula për tretësirë orale 80mg, pika për tretësirë orale 80mg/ml, supozitorë 30 mg, supozitorë 60 mg, supozitorë 160 mg)  kanë qenë gjithmonë barna me përshkrim nga mjeku dhe asnjë kufizim nuk është vendosur së fundmi nga autoriteti përgjegjës në Shqipëri apo në shtetet e tjera ku tregtohen. Mënyra e përshkrimit të këtyre barnave nuk ka ndryshuar që nga koha e autorizimit të parë për tregtim në Shqipëri” shprehet Xhafaj.

Llojet e Ilaçit OKI

Xhafaj sqaron se marka Okitask me dy formë-dozat granula për tretësirë orale 40 mg dhe tableta të veshura me film 40 mg janë të autorizuara si barna pa recetë (OTC), pas një vlerësimi të kujdesshëm nga autoritetet kompetente, pikërisht për shkak të karakteristikave të tyre.

“Ndërkohë edhe marka Oki infiammazione e dolore me dy formë-dozat Mouthwash 1,6% dhe Oromucosal spray 0.16 % janë të autorizuara si barna pa recetë (OTC). Të gjitha informacionet mbi barin dhe mënyrën e marrjes së tij, raportohen të plota në Përmbledhjen e Karakteristikave të Produktit dhe në fletëudhëzues.

Përmbledhja e Karakteristikave të Produktit dhe fletëudhëzuesi janë burimi i vetëm i informacionit i miratuar dhe autorizuar nga autoritetet kompetente bazuar në prova të njohura shkencore.

Informacione të tilla përditësohen vazhdimisht me njohuri të reja të fituara në nivel shkencor dhe klinik.

Çdo lloj informacioni tjetër që shkon përtej këtij dokumentacioni duhet të verifikohet dhe vërtetohet nga një ekspert përpara se të shpërndahet” thekson Xhafaj në reagimin e tij./AgroWeb.org