“Bashkë, për eficencën e energjisë”, AEE fushatë në ndihmë të konsumatorëve dhe mjedisit: Si të përfitojmë nga nisma

575 0

Agjenda e gjelbër për ekonominë qarkulluese, klimën dhe energjinë janë kryefjala e politikës ndërkombëtare, evropiane dhe kombëtare. A e dini se kur themi Eficencë Energjie nuk nënkuptojmë domosdoshmërisht thjesht kursim? Fushata kombëtare e Agjencisë për Eficencën e Energjisë (AEE), “Bashkë, për Eficencën e Energjisë”, është konsideruar si një nismë që konsiston në kursimin e energjisë elektrike, por jo vetëm.

Në fakt, eficenca i referohet një sistemi që mundëson përdorimin sa më të ulët të energjisë, por pa qenë e nevojshme për ta reduktuar atë.

Thënë ndryshe, shërbim i njëjtë, por me më pak kosto, duke kontribuar në zhvillim ekonomik, ruajtjen e mjedisit, rritjen e gjetjeve në përdorim të burimeve të rinovueshme të energjisë, si edhe impakt pozitiv ndaj klimës.

Këto elementë që gjejnë strehë në fushatën kombëtare të AEE-së, morën mbështetjen e institucioneve të qeverisjes vendore, profesionistëve të energjisë dhe mjedisit, si edhe të qytetarëve. Agjencia për Eficencën e Energjisë, institucioni përgjegjës që vepron në përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është në përfundim të ciklit të trajnimeve në formën e simpoziumeve në 12 qarqet e Shqipërisë.

Trajnimet e zhvilluara moderohen nga AEE-ja dhe eksperti i energjisë, i cili shpjegon nga ana teknike se si çdo aktor mund të jetë faktor kontribuues për rritjen e eficencës së energjisë dhe në zbatimin e Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2030, si edhe nënvizon përfitimet e konsumatorëve (të mëdhenj e të vegjël). Pra, trajtesa në fjalë prezanton te audienca gjithë zinxhirin ekonomik dhe energji-klimë pikërisht nga përdorimi më racional i energjisë. Diskutimeve u janë bashkuar një sërë aktorësh, si specialistë, përfaqësues nga bashkia, menaxherë dhe auditues të energjisë, profesionistë të urbanistikës, sipërmarrës e qytetarë të interesuar.

Më konkretisht, përmes kësaj fushate që përforcon bashkëpunimin dhe angazhimin e aktorëve të ndryshëm në nivel qendror dhe vendor, eksperti i energjisë ndan praktikat më të mira për rritjen e eficencës së energjisë në ndërtesat publike e private. Eksperti Islami ilustron përmes rasteve studimore energjinë e kursyer nëpërmjet masave të propozuara. “Simpoziumi ndahet në 5 fusha veprimi – ka nënvizuar eksperti i energjisë nga AEE-ja – planifikimi urban dhe hapësinor; ndërtesat publike e private; furnizimi me energji dhe trajtimi i mbetjeve; lëvizshmëria e qëndrueshme; organizimi në nivel lokal e kombëtar

Të nxitur nga nisma e AEE-së, por edhe nga detyrimet ligjore, bashkitë e 12 qarqeve të vendit kanë paraqitur hapa të rëndësishëm që kanë ndërmarrë secila njësi vendore, për të përmirësuar infrastrukturën energjetike lokale dhe kombëtare. Instalimi i paneleve fotovoltaike në objekte publike dhe ndërtimi i sistemeve efikase të termoizolimit janë disa nga veprimet e ndërmarra për të zvogëluar konsumin e energjisë.

Ndërkohë, jemi informuar më në detaje se në disa bashki ka nisur puna për vendosjen e sistemeve të termoizolimit, paneleve fotovoltaike në shkolla e spitale, të cilat kanë ndikuar në uljen e kostove të faturave të energjisë. Ndërtimi i objekteve të reja me sisteme efikase të ndriçimit LED kanë qenë gjithashtu disa nga ndryshimet e bëra nga bashki të ndryshme të Shqipërisë, disa prej tyre falë mbështetjen dhe urave të ndërlidhura nga AEE mes tyre dhe programeve kombëtare e ndërkombëtare, duke synuar zhvillim e qyteteve me konsum energjie drejt zeros.

Lind pyetja, po ne, çfarë mund të bëjmë në shtëpitë tona për të përfituar nga nisma?

Nga komunikimi me Agjencinë për Eficencën e Energjisë na bëhet me dije se ka disa mënyra për të përfituar nga nisma “Bashkë, për eficencën e energjisë” edhe në komoditetin e shtëpive tona, që jo vetëm do të na shkurtojnë faturën e energjisë, por do të përmirësojë mjedisin ku jetojmë. Ja disa prej mënyrave:

  1. Boilerët me kondensim shkurtojnë faturat e energjisë deri në 35% krahasuar me boilerët trandicional.
  2. Izolimi i mureve duke përdorur materiale izoluese të jashtme dhe një sistem suvatimi për të parandaluar humbjen e nxehtësisë është një hap kyç për të ruajtur nxehtësinë brenda shtëpisë dhe për të ulur faturat.
  3. Instalimi i dritareve me transmetueshmëri të lartë termike siguron izolim efektiv, pengon humbjen e nxehtësisë dhe thith më tepër dritë nga jashtë.
  4. Përdorimi i pajisjeve, sistemeve të ndriçimit siç janë pajisjet me klasë energjetike të lartë dhe sistem të ngrohjes me rendiment të mirë, ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe në përfitimin e avantazheve ekonomike dhe mjedisore.

AEE përcjell materiale informuese, të cilat përmbajnë udhëzime praktike dhe informacione të rëndësishme për të ndihmuar komunitetin në marrjen e veprimeve për të përmirësuar eficiencën e energjisë. Këto materiale janë të disponueshme për të gjithë, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të energjisë në nivel lokal. Fushata “Bashkë, për Eficencën e Energjisë” është shpërndarë edhe në rrjetet sociale për të arritur një audiencë më të gjerë.

Mendo edhe për të nesërmen! Bashkë, për për të sjellë ndryshimin nga i cili mund të përfitojmë të gjithë!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.