Ndryshimet ekstreme të klimës, shkencëtarët e BE-së: Ky vit do të jetë më i ngrohti në 125,000 vjet

1.8k 0

Ky vit do të jetë më i ngrohti në botë në 125,000 vjet, deklaruan sot shkencëtarët e Bashkimit Evropian, kjo pasi të dhënat treguan se muaji i kaluar ishte tetori më i nxehtë i regjistruar me një diferencë masive.

“Muaji i kaluar tejkaloi temperaturën mesatare më të lartë të mëparshme të tetorit, nga 2019, me 0.4 gradë Celsius”, tha zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike (C3S) të BE-së, Samantha Burgess, duke e përshkruar anomalinë e temperaturës si “shumë ekstreme”.

“Ky do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar”, tha C3S në një deklaratë.

Nxehtësia është rezultat i emetimeve të vazhdueshme të gazeve serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile, e kombinuar me fenomenin El Nino, i cili ngroh ujërat sipërfaqësore në lindje të Oqeanit Paqësor.

Para vitit 2023, viti më i nxehtë i regjistruar ka qenë 2016. “Kur kombinojmë të dhënat tona me IPCC, atëherë mund të themi se ky është më i ngrohti vit për 125,000 vitet e fundit”, tha Burgess.

Të dhënat afatgjata nga paneli i shkencës klimatike i OKB-së IPCC, përfshijnë të dhënat nga burime si bërthamat e akullit, unazat e pemëve dhe depozitat e koraleve.

Ndryshimet klimatike po nxisin ekstreme gjithnjë e më shkatërruese. Në vitin 2023 ndodhën përmbytjet që vranë mijëra njerëz në Libi, valë të forta të nxehtit në Amerikën e Jugut dhe sezonin më të keq të zjarreve në Kanada. Në nivel global, temperatura mesatare e ajrit sipërfaqësor në tetor prej 15.3 gradë Celsius (59.5 gradë Fahrenheit), ishte 1.7 gradë Celsius më e ngrohtë se mesatarja për tetorin e viteve 1850-1900, të cilën Koperniku e përcakton si periudhën para-industriale.

I vetmi muaj tjetër për të thyer rekordin e temperaturës me një diferencë kaq të madhe ishte shtatori i vitit 2023.

“Shtatori me të vërtetë na befasoi”, tha Burgess. “Pra, pas muajit të kaluar, është e vështirë të përcaktohet nëse jemi në një gjendje të re klimatike. Por tani të dhënat vazhdojnë të bien dhe ato po më befasojnë më pak se një muaj më parë.”

Efekti El Nino

Kombinimi i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe El Nino-s, po ngjall shqetësime për më shumë ekstreme klimatike që do të vijnë përfshirë Australinë, e cila po përgatitet për një sezon të rëndë zjarresh mes kushteve të nxehta dhe të thata.

Modeli i vazhdueshëm i motit El Nino do të zgjasë të paktën deri në prill 2024, tha të mërkurën Organizata Botërore Meteorologjike.

“Ngrohtësia shtesë globale e El Nino-s shton rritjen e qëndrueshme të ngrohjes së shkaktuar nga njeriu,” tha Michael Mann, një shkencëtar klimatik në Universitetin e Pensilvanisë.

Gjetjet e shkencëtarëve vijnë tre javë përpara se qeveritë të takohen në Dubai për negociatat e këtij viti të OKB-së për klimën, të njohura si COP28. Atje, gati 200 vende do të negociojnë veprime më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike.

Një çështje qendrore në COP28 do të jetë nëse qeveritë bien dakord  për herë të parë, për të hequr gradualisht djegien e karburanteve fosile që emetojnë dioksid karboni.

Sipas planeve aktuale të prodhuesve të lëndëve djegëse fosile për nxjerrjen e qymyrit, naftës dhe gazit, deri në vitin 2030 prodhimi global i karburantit fosil do të jetë më shumë se dyfishi i niveleve që konsiderohen në përputhje me përmbushjen e synimeve të dakorduara globalisht, për të kufizuar ndryshimin e klimës, thanë Kombet e Bashkuara dhe studiuesit në një raport të publikuar ditën e sotme.

Pavarësisht se vendet vendosin objektiva gjithnjë e më ambicioze për të ulur gradualisht emetimet, deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Emetimet globale të CO2 arritën një rekord të lartë në 2022.

“Ne nuk duhet të lejojmë që përmbytjet shkatërruese, zjarret, stuhitë dhe valët e të nxehtit që shihen këtë vit të bëhen normalja e re,” tha Piers Forster, shkencëtar klimatik në Universitetin e Leeds.

“Duke reduktuar me shpejtësi emetimet e gazeve serrë gjatë dekadës së ardhshme, ne mund të përgjysmojmë shkallën e ngrohjes,” shtoi ai.

Burimi: Top Channel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.