Pllaqitë Shqiptare, Plot Fibra, Proteina dhe Vlera

696 0

Pllaqitë janë perfekte në këtë stinë. Shija e tyre është e ëmbël dhe e butë, por kjo nuk është arsyeja e vetme përse ju duhet të konsumoni pllaqitë. Ato janë të pasura me proteina dhe fibra e plot vlera të tjera për shëndetin.

Shqipëria është një vend i pasur përsa i përket prodhimtarisë së pllaqive, por qytetet e Korçës dhe Pogradecit ofrojnë një larmishmëri të madhe të këtij produkti ushqimor. Karaktersitika kryesore e pllaqive shqiptare është freskia dhe pasuria e vlerave ushqyese.

Në 100 gramë pllaqi do të gjeni 62 kalori, 7.77% karbohidrate, 1.43% yndyrna të plota dhe 9.60% proteina. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, pllaqitë janë një burim i jashtëzakonshëm ushqyesish. Në 100 gramë pllaqi do të gjeni 9.47 përqind fibër dietike, 18.75% hekur, 11.35% mangan, 10.43 përqind fosfor dhe 14.50% folat.

Vlerat shëndetësore të pllaqive

Pllaqitë janë të pasura me fibër dhe proteina. Ato përmbajnë disa amino acide të njohura që frymëzojnë trurin të çlirojë më shumë dopaminë, një substancë kimike që përdoret në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit. AgroWeb.org ju tregon se pllaqitë nuk përmbajnë kolesterol dhe kanë pak yndyrna dhe kalori.

Forcojnë imunitetin

Vitamina C promovon prodhimin e qelizave të bardha dhe ndihmon në funksionimin e këtyre qelizave kryesore të imunitetit. Vitamina C është një antioksidant që parandalon stresin oksidues dhe përmirëson aktivitetin e qelizave të bardha.

Parandalojnë aneminë

Anemia shkaktohet si rezultat i nivelit të ulët të hemoglobinës dhe qelizave të kuqe të gjakut. Ajo shkakton probleme në funksionimin e trurit, dhe ul imunitetin si pasojë e niveleve të ulëta të energjisë. Në shumicën e rasteve sëmundja e anemisë shkaktohet si pasojë e pranisë së ulët të hekurit në organizëm dhe në raste të tjera si rezultat i faktorëve gjenetikë. Pllaqitë përmbajnë 1.5 mg hekur që ndihmon në trajtimin dhe parandalimin e anemisë.

Eliminojnë radikalet e lira

Mangani shërben si antioksidant që largon radikalet e lira nga organizmi. Radikalet e lira shkaktojnë dëme të shumta tek qelizat dhe i hapin rrugë formimit të kancerit dhe sëmundjeve të tjera. AgroWeb.org ju këshillon se nëse shtoni në dietën tuaj ushqime të pasura me mangan, siç janë edhe pllaqitë do të parandaloni shfaqjen e një sërë sëmundjesh të këqija.

Parandalojnë osteoporozën

Mangani ndihmon edhe në kurimin e sindromës së osteoartritit dhe osteoporozës duke qenë se forcon kockat dhe ndihmon në përthithjen e mineraleve.

Përmirësojnë fjetjen

Studimet kanë treguar që triptofani që gjendet tek pllaqitë ka një efekt qetësues dhe nxit gjumin. Për më tepër këto substanca janë të nevojshme për mirëqenien e përgjithshme.

Shëndeti i syve

Studimet tregojnë se thiamina që gjendet tek pllaqitë ka aftësinë të përmirësojë shëndetin e syve dhe të parandalojë simptoma si glaucoma dhe katarakti.

Parandalon prishjen e dhëmbëve

Fosfori që gjendet tek pllaqitë ndihmon në shëndetin e mirë të mishrave të dhëmbëve dhe të dhëmbëve në përgjithësi. Vitamina D, kalciumi dhe fosfori janë tre elementë të rëndësishëm për shëndetin e gojës.

Ul gjasat e goditjes në tru

Disa studime kanë treguar se nivelet e larta të vitaminës C në gjak zvogëlojnë gjasat e goditjes në tru me 42 përqind.

Shëndeti i trurit

Funksionet e trurit varen nga furnizimi me oksigjen. Mungesa e hekurit na bën më të plogësht, me kujtesë të paktët dhe apatikë siç rezulton nga kërkimet e AgroWeb.org. Njerëzit që vuajnë nga mungesa e hekurit përjetojnë simptoma si irritim, mungesa e përqendrimit dhe acarim, të cilat mund të shuhen nëse riktheni ekuilibrin e hekurit në gjak.

Si t’i konsumoni pllaqitë

  • Pllaqitë e freskëta duhen zier ose gatuar me avull.
  • Ato mund t’i konsumoni edhe në variantin e tharë ose të konservuar
  • Pllaqitë e mëdha mund të përfshihen në supa, gatime të pjekura, dhe me mishin e shpendëve, qingjit dhe frutat e detit.
  • Pllaqitë e freskëta mund të shërbehen në antipastë ose në formën e pastës./AgroWeb.org