Lajkatarja – Lulja e Veçantë e Shëndetit, Si ta Përdorni

1.6k 0

Lajkatarja është plotësisht e ngrënshme, e shijshme dhe plot vlera shëndetsore.

Bima e Lajkatares mund të jetë e nënvlerësuar, por ajo ka një paraqitje të mrekullueshme në natyrë, është e dobishme në kopshtet tuaja dhe plot shije në gatime.

Bima e familjes botanike Tropaeolum majus njihet ndryshe si Lajkatarja e Kopshtit, por edhe si Përqarku mjekësor.

Ajo rritet mjaft lehtë në forma dhe zgjatime të ndryshme.

Lajkatarja ka nevojë për kujdes minimal.

Në fakt ajo futet në radhët e bimëve të rralla që lulëzojnë edhe kur lihen pas dore.

Por ama nëse tregoni kujdes dhe e ushqeni me pleh organik të pasur, atëherë lajkatarja do të lulëzojë mrekullisht me gjethnaja të bollshme dhe lule.

Bima e lajkatares është plotësisht e ngrënshme.

Nëse e mbillni në kopsht, atëherë ajo do të shërbejë për të larguar dhe mbrojtur bimët e tjera nga insektet e padëshiruara.

Bima e Lajkatares në Shtëpi

Farat e lajkatares mund t’i gjeni mjaft lehtë në farmaci bujqësore, por edhe duke i marrë nga bimët që rriten të egra apo në kopshte.

Nëse jetoni në rrethe me klimë të ftohtë, lajkataren duhet ta mbillni në pranverë dhe në verë, ndërsa nëse jetoni në vende me klimë të ngrohtë, mund ta mbillni në çdo kohë.

Farat duhen mbjellë në të paktën 3 centimetra, duke qenë se ato kanë nevojë për errësirë që të lëshojnë rrënjë.

Për më tepër, farat e lajkatares kanë nevojë për lagështirë deri në momentin kur lëshojnë rrënjë. Më pas, farat nuk kanë nevojë për shumë ujë.

Kjo specifikë, e bën lajkataren bimën perfekte për vendet me furnizim të kufizuar ose reshje të pakëta.

Lajkatarja e duron thatësirën, por jo nxehtësinë e madhe. Nëse jetoni në vende me temperatura të larta, atëherë përpiquni t’i jepni lajkatares mburojë nga dielli.

Lajkatarja nuk i toleron ngricat. Vëzhgimet e AgroWeb.org tregojnë se lajkatarja e ka bezdi edhe erën e fortë apo stuhinë.

Lajkatarja ka nevojë për krasitje të herëpashershme.

Ndërkohë që gjethet e këputura mund t’i përdorni për pasurim të tokës mbi rrënjë.

Në botën e luleve të ngrënshme, lajkatarja është një nga më të shijshmet.

Kanë një shije pakëz pikante me aromën e specit që të zgjon dëshirën dhe shqisat.

Këtë karakteristikë nuk e kanë vetëm lulet, por edhe gjethet e buta.

Lajkatarja është nga të paktat bimë të cilës i përdoren edhe gjethet, por edhe lulet në të njëjtin gatim apo sallatë.

Mënyrat e përdorimit në kuzhinë 

Lajkatarja është e famshme mes shefave më të mirë të kuzhinës por edhe kopshtarëve më të mirë.

Lulet shumëngjyrëshe ndezin dhe gjallërojnë pjatat. Ato janë të mbushura 10 herë më shumë me vitamina A, C se sa sallatat jeshile.

AgroWeb.org ju tregon se përveç vitaminave të tjera, lajkatarja përmban edhe vitaminë D, shumë jetësore për organizmin.

Për sallatat mund të përdorni lulet dhe gjethet të cilat i keni këputur herët në mëngjes.

Sa më e lodhur të jetë bima nga nxehtësia, aq më e fortë do të jetë shija e gjetheve dhe luleve.

Lulet dhe gjethet duhen larë me kujdes. Ato duhen përdorur menjëherë ose duhen ruajtur në një qese plastike në frigorifer.

Nëse shija e luleve është tepër e fortë për ju, atëherë përdorni vetëm disa petale.

Shefat e kuzhinës e përdorin lajkataren në kavërdisje, në sallata, e gatuajnë me makarona ose për mbushje.

Ata që guxojnë i grijnë farat e lajkatares dhe i përdorin në vend të piperit, kaperit apo vajrave aromatikë dhe përfitojnë shije mahnitëse./AgroWeb.org