Rukola, finok, brokoli. I vetmi rreng që mund të na bëjnë këto delikatesa italiane është të na bëjnë të pastër brenda e të bukur jashtë, siç thonë me krenari dhe vetë italianët.
Këto produkte të Mesdheut kanë hyrë tërë delikatesë në kuzhinën tonë, në restorante, por dhe në tokën tonë.
Rukola siç njihet ndryshe, prodhohet masivisht edhe në Divjakë e Lushnjë së bashku me finokun dhe lakrën e vogël pranverore, apo lakrën e Brukselit.
Arbër Gjoka, është një nga fermerët e rinj nga Divjaka që po e provon fatin pikërisht me lakrën e Brukselit.
Ai ka nisur ta kultivojë këtë lakër të vogël, për shkak të kërkesës në rritje për të.
“Në Divjakë mund të ketë afro 20 ha të mbjellë me lakrën e vogël me një prodhim prej rreth 1.140 ton në vit”, konfirmon Gjoka për AgroWeb.org, duke pohuar se gjatë viteve të fundit kërkesat për këtë lakër speciale janë shtuar veçanërisht nga Polonia dhe Lituania.
Por me shumë gjasë ju mund të pyesni, po pse atëherë ne shohim kaq pak lakra të vogla dhe finok në treg?
Kjo ndodh sepse prodhohet shumë pak. Luto Goga, ekspert i bujqësisë shpjegon për AgroWeb.org, se kjo vjen edhe si pasojë e një tregu të vogël.
“Këto në fakt janë bimë shumë interesante, por tregu ynë është shumë i vogël. Duke qenë se janë shumë delikate ato kanë nevojë për një kujdes më të veçantë nga fermerët dhe njohje më të madhe nga konsumatorët në lidhje me cilësitë dhe vlerat e tyre” thotë Goga për AgroWeb.org.
Pikërisht mosnjohja e këtyre produkteve dhe tregu i vogël, i bëjnë fermerët skeptikë, nëse duhet të prodhojnë më shumë, pasi nuk dinë a do të mund të ketë treg për to.
Rukola
Rukola siç dhe e njohim më shumë, është një nga ato perime që qëndrojnë në piedestal për shkak të shumë vitaminave e mineraleve.
Nëse do të krahasonim rukolën me sallatën jeshile, rukola përmban tetë herë më shumë kalcium, pesë herë më shumë vitaminë A, vitaminë C dhe vitaminë K dhe katër herë më shumë hekur sa e njëjta sasi me sallatë jeshile.
Zgjedhja është e thjeshtë. Rukola për një sallatë të shëndetshme.
Për më tepër, fibrat tek rukola ju ndihmojnë në aparatin tretës, duke ju bërë që të ndiheni të ngopur për një kohë më të gjatë. Gjithashtu ndihmon për të ulur kolesterolin, për të balancuar sheqerin në gjak dhe për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Finoku
Të mirat shëndetësore të finokut janë aq të shumta, sa e meriton me të vërtetë emrin finok. Ndihmon për aneminë, tretjen, konstipacionin, diarenë, çrregullimet e frymëmarrjes, çrregullimet menstruale dhe ndihmon për shikimin.
Finoku ose Fennel, emri shkencor i së cilit është Foeniculum Vulgare Miller, përdoret masivisht në të gjithë botën për përdorime të shumta kulinare.
Brussel Sprout ose lakra e vogël e Brukselit
Eshtë e habitshme se sa shumë proteina kanë lakrat e Brukselit, duke qenë se janë veçse një perim i gjelbërt.
Në një tas me këtë lakër të vogël nevojat tuaja për vitaminë C dhe për vitaminë K për ditën do të jenë të përmbushura.
Ato renditen mes 20 ushqimeve me më shumë vlera ushqyese, ku maten vitaminat, mineralet dhe fitoushqyesit në raport me sasinë e kalorive.
Duke konsumuar një racion me lakra Brukseli ju do të merrni vitaminë K, vitaminë C, dhe shumë vitaminë A, vitaminë B-6, folat, potas dhe manganez që ju duhen në një ditë./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje