2.2k 0

Këshilla si t’i Ruani Luleshtrydhet e Freskëta sa më Gjatë

Luleshtrydhet janë një frut i preferuar për të gjithë, të cilat fatkeqësisht i gjejmë vetëm në disa muaj të vitit.

Nëse dëshironi t’i shijoni natyrale, ose t’i përdorni për të përgatitur ëmbëlsira të shijshme, është mirë t’i ruani luleshtrydhet në mënyrën e duhur. Kështu ju do të ruani shijen dhe cilësinë e tyre.

Para së gjithash, është e rëndësishme të zgjidhni luleshtrydhet e cilësisë së mirë, me një ngjyrë të ndezur dhe që nuk janë ende shumë të pjekura.

Nëse ruhen mirë, luleshtrydhet do të qëndrojnë të freskëta për rreht një javë. E nëse i ruani në frigorifer ato mund të qëndrojnë për muaj të tërë.

Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me disa këshilla se si të ruani më mirë luleshtrydhet.

Si t’i ruani në frigorifer

Për të ruajtur luleshtrydhet në frigorifer, zgjidhni një enë të madhe dhe të pastër, prej plastike ose, akoma më mirë, një enë qelqi.

Shtroni në enën e zgjedhur letër kuzhine për të eliminuar lagështinë e tepërt dhe për t’i mbajtur luleshtrydhet sa më të thatë.

Është e rëndësishme ta lini enën pak të hapur në mënyrë që luleshtrydhet të marrin pak ajër. Përndryshe, mund t’i ruani edhe në një kullesë.

Fillimisht luleshtrydhet duhen pastruar. Ju duhet të hiqni kërcenjtë dhe çdo pjesë të dëmtuar.  Më pas vendosini me kokë poshtë, dhe sa më larg njëra-tjetrës.

Nëse keni ndërmend t’i mbani për disa ditë, spërkatini luleshtrydhet me pak uthull, ose zhytini për disa sekonda në uthull e më pas kullojini dhe thajini mirë.

Si t’i ngrini luleshtrydhet 

Nëse dëshironi t’i ngrini luleshtrydhet për t’i mbajtur më gjatë, fillimisht lërini të ngrijnë në një tigan që nuk ngjit. Pasi të kenë ngrirë, hidhini në një enë të mbyllur, ose në një qese me vakum.

Për të ruajtur shijen e tyre, mund të përgatisni një shurup me bazë ujin e nxehtë dhe sheqerin. Sigurohuni që sheqeri të jetë tretur mirë dhe shurupi të jetë ftohur përpara se të vendosni luleshtrydhet në një kavanoz dhe t’i mbuloni me të.

Mbyllini kavanozët fort përpara se t’i ngrini dhe kur të dëshironi t’i përdorni lërini të shkrihen në temperaturën e dhomës.

Përndryshe, luleshtrydhet mund të përzihen me sheqer dhe të ruhen në një enë plastike të mbyllur mirë. Megjithatë, do të krijohet shumë lëng gjatë shkrirjes.

Ju gjithashtu mund të ruani purenë e luleshtrydheve në kube akulli. Lani, pastroni dhe prisni luleshtrydhet. Përziejini ato në mikser së bashku me një lugë gjelle lëng limoni. Hidheni përzierjen në format e kubave dhe ngrijeni.

Gabimet që duhen shmangur

Lajini luleshtrydhet vetëm nëse keni ndërmend t’i konsumoni brenda një kohe të shkurtër. Nëse dëshironi t’i mbani në frigorifer, mos i lani më parë. Ky frut, është si një sfungjer, e thith shumë lagështinë, dhe kjo bën që të kalben më shpejt.

Lajini luleshtrydhet vetëm në rast se doni t’i vendosni në ngrirje, por bëni kujdes që ujin e tepërt ta kulloni mirë.

Mos ruani ose ngrini luleshtrydhet që kanë pjesë të vogla myku. Sepse kjo metodë nuk do t’ju ndihmojë.

Kontrolloni që të gjitha frutat të mos kenë pjesë të pjekura, myk apo mavijosje, pa i prekur shumë me duar.

Mos i mbani luleshtrydhet në qeset apo kontenierët plastikë me të cilat i blini  në supermarket. Edhe pse shiten në këtë mënyrë, kontejnerët e sigurt për ushqim ofrojnë ruajtje më të mirë, qofshin plastike apo qelqi, për sa kohë që janë të hapura në mënyrë që frutat të marrin frymë. / AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.