2.3k 0

Mënyra më e Mirë e Ngrirjes së Spinaqit – Plot Vlera Gjatë Gjithë Vitit

Vlerat e shumta të spinaqit me siguri i dini mirë, bashkë me përdorimet e shumta në kuzhinë.

Për ata që duan të përfitojnë vitaminat B6, C, E apo K spinaqi është mënyra më e sigurt dhe natyrale për t’i marrë.

Një burim shumë i madh edhe i kaliumit, acidit folik dhe hekurit, pra kocka më të forta dhe organizëm i shëndetshëm.

Megjithëse është burim shëndeti dhe vlerash, natyra nuk e dhuron gjatë gjithë vitit këtë bimë mrekullibërëse.

Prandaj në këtë artikull të AgroWeb.org ju tregojmë disa mënyra të thjeshta se si ta shfrytëzoni gjatë gjithë vitit.

Për të gjithë ata që e shijojnë apo për ata që duan të përfitojnë nga vlerat e tij, spinaqi i ngrirë është zgjidhja më praktike.

Mëposhtë gjeni të shpjeguar mënyrën e saktë të ngrirjes pa humbur asnjë vlerë.

Si të ngrini spinaqin në shtëpi

Ky proces nis sigurisht me pastrimin e mirë të të gjitha gjetheve të spinaqit.

Lajini ato me kujdes një nga një, në mënyrë që të mos mbesin papastërti.

Mënyrën më të mirë dhe të saktë të pastrimit të tij e gjeni të shpjeguar hollësisht nga AgroWeb.org duke klikuar këtu.

Pasi të gjitha gjethet e spinaqit të jenë pastruar, pritini bishtat dhe hiqni pjesët e prishura të bimës, nëse ka.

Pritini sipas dëshirës në fije më të vogla në mënyrë që t’i konservoni më lehtësisht.

Vendosini ato të ziejnë për 2 minuta e më pas zhytini në ujë të ftohtë, përsëri për 2 minuta.

Gjithashtu për të ruajtur sa më shumë vlerat e spinaqit mund ta gatuani për 2 minuta në avull.

Pasi ta keni nxjerrë nga uji i ftohtë spinaqin thajeni me kujdes me letër ose një napë.

Futini në qese plastike për ngrirje ose në enët hermetike ku do t’i ruani gjethet tuaja të spinaqit.

Nëse i fusni gjethet në qese mundohuni të nxirrni sa më shumë ajrin nga to dhe t’i mbushni mirë me spinaq.

Qeset me vakum do të ishin zgjidhja më e mirë për konservimin e duhur.

Vendosini në ngrirje dhe mund t’i përdorni nga 9 deri ne 14 muaj të vitit sa herë që të keni nevojë.

Shija do të jetë e njëjtë dhe vlerat po ashtu do të jenë ruajtur.

Një tjetër këshillë shkon për ujin në të cilin keni zierë spinaqin më parë.

Nëse është kthyer në nuanca të jeshiles do të thotë se disa nga vlerat e spinaqit kanë mbetur aty.

Kështu që edhe ujin mund ta ruani gjithashtu në ngrirje për ta përdorur tek supat, orizi apo gatime të ndryshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.